Protesta për shkak të rrymës elektrike, bllokohet udhëkryqi në Butel

Sonte qindra qytetarë kanë dalë dhe janë duke protestuar para zyrave të EVN-së në Butel për shkak të pakënaqësive me furnizim me rrymë elektrike, njofton “Zhurnal”.

Qytetarët që janë shkyqyr na rrjeti elektrik kërkojnë që sërish të furnizohen me rrymë, duke pasur parasysh ditët e ftohta të dimrit. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ruan rendin dhe qetësinë ndërsa rruga në Butel është e bllokuar.

Ndryshe, edhe qytetarët e komunës Çair dhe Shkup Veri kanë shprehur pakënaqësi pasi për dy ditë me rradhë nuk kanë ngrohje nga ngrohtorja Shkup Veri.

Posted on

A do të ndryshohet emri i Sekretariatit për MO-në?

Është akoma e paqartë nëse Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit do të ndryshojë emër dhe format, ashtu siç u përfol gjatë formimit të Qeverisë së Zaevit. Gjatë asaj periudhe, pushteti i ri vlerësonte se me miratimin e ligjit për gjuhët, Marrëveshja e Ohrit mund të konsiderohet plotësisht e zbatuar dhe se ky sekretariat mund të rimërohej në Sekretariat për Sistem Politik. Të pyetur për ndryshime të mundshme, nga Qeveria tani thonë se zyrtarisht nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim dhe se një temë e tillë nuk është diskutuar aspak. Alsat drejtoi pyetje edhe në kabinetin e zv.kryeministrit Hazbi Lika. Nga atje sqaruan se që pas formimit të Qeverisë, nga 7 qershori i vitit 2017, Sekretariati edhe zyrtarisht njihet si Sekretariat për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistem Politik por se nuk ka nisma për ndryshime të tjera më të mëdha. Profesori Argëtim Saliu thotë se duhet të konsiderohet edhe mundësia që ky sekretariat të shëndërrohet në Ministri për Sistem politik, por për këtë do të duhej një analizë e detajuar funksionale.

Që pas formimit të kabinetit të Zaevit, edhe në faqen elektronike të Qeverisë, ky sekretariat shënohet si Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistem Politik por funksioni i tij ka mbetur i njëjtë.

Posted on

Kasami: Besa insiston në Ridefinim, të shiturit do të marrin dënimin e merituar

Lëvizja BESA nuk ka devijuar nga koncepti i Ridefinimit të shtetit si një shtet të barabartë për të gjithë qytetarët, ndërsa ata që u shitën te pushteti dhe dëmtuan besatarët me qëllim të përfitimeve personale, do të marrin dënimin e merituar. Kështu për gazetën KOHA është shprehur kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, pas publikimit në Gazetën Zyrtare të vendimit Regjistrit gjyqësor të partive politike se BESA i takon Kasamit dhe se Kongres legjitim i kësaj partie është ai i muajit shkurt i grupit të Kasamit.

“Do vazhdojmë rrugëtimin tonë me Besë, pa devijuar aspak nga koncepti i Ridefinimit të shtetit si një shtet i barabartë për të gjithë qytetaret. Ju bëjmë thirrje të gjithë Besatarëve që vendi i tyre është te Lëvizja BESA pa marrë parasysh se dikush në një moment mund ti kishte mashtruar dhe si rrjedhojë, të kenë devijuar nga vizioni i Besës”, thotë Kasami. Për gjithë ata që keqpërdorin emrin e Besës, vijon më tej ai, janë ngritur procedura për përgjegjësi adekuate para organeve të drejtësisë.

“Besoj se gjykatat do ta bëjnë punën e vet dhe gjitha ata që dëmtuan Lëvizjen Besa me qëllim të përfitimeve personale duke u shitur te pushteti, do të marrin dënimin e merituar. Për gjithë ata që keqpërdorin emrin e Besës janë ngritur procedura për përgjegjësi adekuate para organeve të drejtësisë”, është shprehur kryetari i BESËS.

Ndryshe, Gazeta Zyrtare një javë më parë publikoi vendimin përfundimtar të Gjykatës Themelore Shkupi 2 për pronësinë e Lëvizjes BESA. Në publikimin e 28 nëntorit, ashtu siç ishte vendosur në disa vendime gjyqësore, BESA i takon kryetarit Kasami, ndërsa në Regjistrin gjyqësor të partive politike shënohet “Lëvizja BESA” me adresë në rrugën “Hristian Todorovski Karposh”, nr. 84A në Shkup, që është edhe selia e partisë së Kasamit.

Për gati dhjetë muaj, grupi i Afrim Gashit kishte pretenduar se partia i takon grupit të tij, megjithëse vulat i kishte Kasami. Megjithatë, gjyqësori, duke u nis nga Gjykata Themelore Shkupi II e deri te Apeli dhe Gjykata Administrative, i dha të drejtë Kasamit, duke ia pranuar Kongresin, si dhe pronësinë e Lëvizjes BESA, duke e regjistruar kështu në Regjistrin gjyqësor të partive politike. (koha.mk)

Posted on