Nga “vllezër” në armiq

Në fakt dallimet mes tyre kanë qenë shumë të mëdha qysh nga fillimi. Fetullah Gylen është udhëheqës i një komuniteti të fuqishëm me zotërimin e qindra shkollave, fondacioneve të cilat kanë mundur të kenë kontroll mbi shtetin deri kur ishin në koalicion me Erdoganin. Koalicion ky që nisi në vitin 2002, kur Erdogan u vu në krye të shtetit.

Dallimet Gylen-Erdogan nisën pas disa vitesh, e ato ishin dy lloje: ideologjike dhe politike. Në aspektin politik Gylen e sheh pushtetin si mbrojtës të interesave kombëtare, kurse Erdoganin e cilëson si njeri që shfrytëzon pushtetin për përfitime personale. Kurse Erdogan “gylenistët” i quan si terroristë.

“MILLI GORUS” KUNDËR “HIZMET”

Tensioni politik ndërmjet këtyre dy udhëheqësve ka qenë edhe fetar. AKP-ja, partia e Erdoganit vjen nga tradita “Milli Gorus”, që përkufizon versionin turk të politikës si islam, dhe me pretendime anti-perëndimore dhe me rritje të vlerave islamike, transmeton lajmi.net

E kundërta e “Milli Gorus” është fryma e Gylenit. Ai vjen nga një traditë e shkollës islamike Said Nursi që ishte e fokusuar më shumë në besim dhe moral, sesa në politikë.

Politiologu turk, Caner Aver ka paraqitur edhe një dallim ndërmjet Gylenit dhe Erdoganit. Sipas tij, Gyleni ndërton shkolla, e më pak xhamia. E kundërta është e Erdoganit. Gylen përpiqet që ta fusë shkencën në kontestin e islamik. Kurse te presidenti aktual turk, arsimimi luan rol më dytësor.

Por si nisi e gjithë lufta Gylen-Erdogan?

Mosmarrëveshjet e para ndërmjet AKP-së së Erdoganit dhe Lëvizjes së Gylenit ndodhën rreth viteve 2010-2011. Thyerja e parë ndodhi në krizën që njihet si kriza në Organizatën e Inteligjencës Turke.

Në vitin 2012 njeriu më i afërt i Erdoganit ishte ftuar për të dëshmua në lidhje me akuzat për krijimin e një “strukture paralele brenda shtetit”. Këtu nisën edhe problemet për të kulmuar në vitin 2013, me mbylljen e shkollave.

Në nëntor 2013 Erdogan kishte vendosur të mbyllte disa shkolla përgatitore. Shumica e të cilave ishin të themeluar dhe administroheshin nga lëvizj e Gylenit.

Kjo luftë e cila nisi nga disa raportime të mediave të Gylenit, që Erdogan i cilësonte si direkte kundër qeverisë, kishte vazhduar dhe po vazhdon deri më sot, transmeton lajmi.net

Çdo gjë kulmoi në vitin 2016 kur në Turqi ishte organizuar një grush-shtet.

Për një moment u mendua se pushteti i sulltanit Erdogan po shkonte drejt fundit, populli turk doli në rrugë duke u shtrirë edhe mbi autoblinda, dhe arritën ta mbrojnë pushtetin e liderit të tyre.

Për këtë, Erdogani e kishte vetëm një fajtor: Fetullah Gylen.

Ai e kishte fajësuar Gylenin për organizimin e këtij puçi. Sipas presidentit turk, Gyleni kishte shfrytëzuar ndikimin e tij nëpër shkolla, polici dhe institucione tjera që ta shkatërronte Erdoganin.

Këto akuza i kishte mohuar vetë Gylen.

Pas gjithë kësaj kohe, Fetullah Gylen vazhdon të jetojë në Amerikë. Edhe pse Erdogan kishte bërë disa kërkesa për ta ekstraduar, një gjë të tillë deri më tani nuk e kanë lejuar institucionet amerikane.

Madje problemet Amerikë-Turqi shumica prej tyre, ishin pikërisht për shkak të mos-realizimit të kërkesave të Erdoganit.

E më dorëlirë në kërkesat e presidentit turk u tregua Kosova.

Gjashtë shtetas turq në një mënyrë misterioze u arrestuan dhe u ekstraduan për në Turqi brenda një ore. Kjo pasoi me shkarkimin e ministrit të brendshëm turk, Flamur Sefaj, dhe drejtorit të AKI-së, Driton Gashi.

Pas këtyre shkarkimi, Erdogani akuzoi Haradinajn se po i mbron terrroistët.

Madje ai po pret që qytetarët e Kosovës t’i kundërvihen kryeministrit i cili kritikoi deportimin e shtetasve turq.

LUFTA SEKTARE BARTET TE SHQIPTARËT

Prishja mes presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan dhe predikuesit Fetullah Gylen ka shumë shkaqe, si politike ashtu edhe ideologjike. Politologu Caner Aver përpiqet të shpjegojë sfondin e armiqësisë që po ndan Turqinë.

Zoti Aver, presidenti turk Erdogan fajëson ish-aleatin e tij, Fetullah Gylen për organizim të puçit ushtarak. Ku bazohen diferencat mes tyre?

Caner Aver: Gylen është predikues, imam dhe ndjek linjën e predikuesit Saidi Nursi, me origjinë nga Kurdistani që ka predikuar në vitet 1910, 1920. Erdogan i përket lëvizjes Milli Görüs, që u themelua në vitet 70-të nga Erbakan, dhe synon një sintezë islamo-turke. Nga njëra anë kemi të bëjmë me një politikan të orientuar nga pushteti dhe pragmatik me islamin si referencë. Nga ana tjetër një predikues e ideolog. Krahas kësaj, Erdogan e ka bazën e pushtetit të tij në territorin turk, Gylen ka në të gjithë botën përkrahës.

A ka arsye historike për këtë prishje mes tyre?

Të rëndësishme janë pozicionet e tyre në puçet e deritanishme në Turqi. Në një kohë që Gylen ka mbështetur puçistët në vitet 80-të, Erdogan dhe lëvizja e tij kanë qenë viktima të saj. Për shkak të orientimit të tyre politik, ata duhet të mbaheshin larg sistemit. Erdogan është politikan karizmatik, përkrahësit e tij e duan pikërisht për këtë. Nga ana tjetër ideologu Gylen. Nëse këta dy persona nuk do të jenë në krye të partisë apo lëvizjes, mendoj se lëvizja e Gylenit do të vazhdojë të ekzistojë për shkak të ideologjisë, ndoshta jo në këto dimensione. Tek AKP e Erdoganit gjasat janë më të pakta, partia do orientohet tek personalitete të reja.

Lidhur me këtë lëvizje flitet shumë për pretendimin madh të saj ndaj dijes. Si e vlerësoni këtë?

Gylen ka thënë njëherë, ndërtoni shkolla dhe më pak xhami. Tek Erdogani është e kundërta, ai ndërton më shumë xhami se shkolla. Por Gylen ka një koncept të tij: Ai përpiqet që të fusë shkencën në kontekstin e islamit. Ai nuk do ta modernizojë fenë dhe ta përshtasë me kohën. Në vend të kësaj ai përpiqet të arsyetojë shkencën përmes koranit dhe të legjimitojë këtë. Tek Erdogani arsimimi luan rol më dytësor. Ai kërkon mobilizimin e masave për të forcuar pushtetin.

Erdogan dhe Gülen konkurrojnë për pushtet thuhet, ku qëndron problemi në detaj?

Gylen përfaqëson një drejtim më liberal, perëndimor të islamit, ndërsa Erdogani frymëzohet e demonstron një forcë osmane. Kjo u bë e qartë tek protestat për parkun Gezi, që u shtypën brutalisht, në vitin 2013. Lëvizja Gylen e kritikoi këtë. Ekspertët thonë, se në këtë grindje bëhet fjalë edhe për ndarjen e burimeve brenda shtetit dhe zënien e posteve. Nëse Gylen, me lëvizjen mjaft të mirëorganizuar angazhohet kryesisht për demokraci, qeveria e Erdoganit e akuzon atë për të kundërtën: Sipas saj ai punon me shërbimet e huaja kundër Turqisë.

Si e shikoni pas puçit, zhvillimin e Turqisë në plan afatgjatë?

Zhvillimet aktuale lënë shumë pyetje të hapura lidhur me të ardhmen e vendit. Para pak ditësh pati shenja shtensionimi, me takimin e partive opozitare në zyrën presidenciale dhe u dëgjuan tone pajtimi. Marshimi i partisë kemaliste, CHP për herë të parë pas shtatë vjetësh në sheshin Taksim dhe prezantimi i planit dhjetëpikësh tregon se pajtimi është i mundur. Si Erdogani edhe CHP kanë një armik -puçistët.

Por koha e pajtimit ishte e kaq e shkurtër…

Vërtet. Duhet të shihnim se si gazetarët pushohen nga puna apo mbyllen shtëpi botuese apo media, megjithëse shumë nuk kanë të bëjnë me lëvizjen Gylen. Duket më shumë se Erdogani po përdor momentin për të luftuar opozitarët që e bezdisin dhe për të forcuar pushtetin. Ky rrezik është prezent.