Afër 280 mijë palestinezë falin xhumanë e fundit të Ramazanit në Al-Aksa

Një numër i madh i palestinezëve vërshuan drejt Kompleksit Al-Aksa për të falur namazin e fundit të xhumasë këtë Ramazan, edhe përkundër pengesave dhe vështirësive të nxjerra nga ana e Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).

Palestinezët kaluan pikat e kontrollit mes Bregut Perëndimor të okupuar dhe Kudsit nga orët e mëngjesit për të kaluar në Aksa.

Policia izraelite mbylli për qarkullim rrugët në Qytetin e Vjetër në Kudsin Lindor të okupuar, duke mos lejuar kalimin e asnjë mjeti rrugor përveç autobusëve.

Sipas një deklarate me shkrim të Autoritetit të Vakëfeve Islame në Kuds, rreth 280 mijë palestinezë falën namazin e xhumasë në Aksa.

Duke folur në hutben e xhumasë, Shejh Muhammed Selim, tha se policia izraelite i ka provokuar muslimanët gjatë muajit të Ramazanit duke futur hebrenj fanatik në Mesxhid al-Aksa dhe ka shkelur mbi vlerën e kësaj faltoreje.

Shejh Selim tha se Ramazani është muaj i llogarisë për të gjithë muslimanët, duke thënë se bota arabe dhe islame duhet t’i hedhin themelet e unitetit duke e vënë veten në llogari me rastin e këtij muaji.

Palestinezët nga Bregu Perëndimor, të cilëve në ditë të zakonshme nuk u lejohet kalimi në Kuds, shkrepën fotografi kujtimi para Aksasë dhe Kupolës së Shkëmbit.

Pas namazit u krijuan turma të mëdha në portat e kompleksit ndërkohë që qindra policë izraelitë ishin në gatishmëri brenda mureve të Qytetit të Vjetër.

Ndërkohë, Izraeli pengoi hyrjen në Kuds të meshkujve të moshës nën 40 vjeç nga Bregu Perëndimor i rrethuar me Murin e Ndarjes (Muri i Turpit), ndërsa nuk lejoi edhe hyrjen e palestinezëve nga Gaza e bllokuar me afër dy milionë banorë.

Dhjetra mijëra meshkuj palestinezë të kthyer nga pikat kontrollit të ushtarëve izraelitë ende nuk kanë arritur të dalin nga Bregu Perëndimor gjatë Ramazanit. Ndërkohë, palestinezët e lejuar të kalojnë formuan radhë të gjata në pikat e kontrollit që nga orët e agimit për të kaluar në Kuds.

Ndryshe, një numër i madh i pikave izraelite të kontrollit gjenden përgjatë murit të betonit të lartë pesë metra të ndërtuar në vitin 2003 mes Bregut Perëndimor të okupuar dhe Kudsit. Në ditë të zakonshme, Izraeli nuk lejon kalimin e palestinezëve të Bregut Perëndimor në Kuds, me përjashtim të lejeve të posaçme.

Ndërkaq, banorët e Gazës, që gjendet nën bllokadën e Izraelit, nuk kanë liri të udhëtojnë as në Kuds, e as në ndonjë vend tjetër.

Bregu Perëndimor dhe Kudsi Lindor, ku ndodhet kompleksi Al-Aksa, mbahen të okupuara nga Izraeli që nga viti 1967.