FAMILJARËT E SHTETASVE TURQ KANË NJË LUTJE PËR HARADINAJN

Familjarët e shtetasve turq që u arrestuan të enjten, po qëndrojnë para ndërtesës së Qeverisë për të kërkuar sqarime për të arrestuarit. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka dal para ndërtesës për t’i takuar familjarët e shtetasve turq.

Haradinaj tha se arrestimi i familjarëve të tyre ka qenë befasi, por që sipas tij befasi të tilla nuk do ketë më.

Ai familjarëve iu garantoi se çdo kërkesë të tyre do të shqyrtohet. “Kemi marr sot vendim, që asnjë vendim tjetër nuk mundet me qenë befasi për askënd. Kjo nënkupton se nuk do të ketë befasi më, kjo ka qenë një befasi, por nuk do të ketë më…Edhe unë iu falënderoj dhe uroj që të zgjidhet si duhet. Ju si familje këtu çdo kërkesë tuajën ne do e shqyrtojmë” , tha Haradinaj. Kurse, familjarët kërkuan nga kryeministri që t’iu garantoj se në Kosovë mund të jetojnë pa frikë.

Gruaja e Yusuf Karabina, Jasemin Karabina u shpreh e shqetësuar se me avokatët që i kanë angazhuar në Turqi nuk po mund të kontaktojnë. Karabina ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të sigurojnë prova konkrete që vërtetojnë se të afërmit e tyre janë deportuar për në Turqi. “Ne sot në mëngjes kemi pa disa video, sipas të cilave pretendohet se bashkëshortët tanë janë deportuar nga Kosova. Ne kemi kërkuar video incizimet dhe ajo e cila është provuar me video incizime, ne i besojmë dhe mund të provohet se ata kanë hyrë në Aeroportin e Prishtinës.

Avokatët tonë të cilët i kemi angazhuar në Turqi, tash e dy ditë nuk kemi pasur mundësi t’i kontaktojmë, nuk po lejohet takimi me ta, dhe nuk kemi asnjë informatë zyrtare që ata gjenden në Turqi, dhe as avokatët nuk mund të sigurojnë një provë të tillë. Edhe nga kryeministri edhe nga organet tjera të vendit presim që të na ofrohen prova konkrete me të cilat mund të shohim me sytë tanë, të dëgjojmë me veshët tanë se ata me të vërtetë janë deportuar nga Aeroporti i Prishtinës dhe gjenden në Turqi”, tha Karabina.

Ndryshe, që nga mbrëmë familjarët e gjashtë të arrestuarve turq kanë qëndruar në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, duke besuar që të dashurit e tyre ndodheshin aty. Kurse, sot gjatë ditës nëpër media kanë qarkulluar pamje ku shihen të arrestuarit turq duke u verifikuar nëpër kontrolle derisa në një video shihen edhe duke hipur në aeroplan.