Fjalimi i Erdoganit në shqip – Kryeministër, prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shtet Turqisë (Video)

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është kërcënuar sot nga presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan tha se është ‘pikëlluar’ nga Haradinaj, pasi ky i fundit kundërshtoi operacionin për arrestimin dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq që ndodhi të enjten në Kosovë.

Tha se Haradinaj për një veprim të tillë do të jap ‘llogari’.

“Agjencia Turke e Inteligjencës (MIT) me një operacion në Kosovë i kapi dhe i solli në Turqi gjashtë përfaqësues të lartë të FETO’s në Ballkan”, njoftoi Erdogan përkrahësit e tij.

“Por kam një pikëllim. Çfarë është ky pikëllim? Kryeministri i Kosovës largoi nga detyra personin në krye të Inteligjencës dhe Ministrin e Brendshëm”, shtoi ai.

“Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë?”.

“Ju z. kryeministër a nuk e dini se Turqia është vendi i dytë menjëherë pas Amerikës që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Si mund t’i ushqesh këta njerëz që kanë bërë një tentativë për grusht shteti ndaj Turqisë e cila e mirëpret Kosovën si një vëlla. Do të japësh llogari edhe për këtë”, tha Erdogan.

“Vëllezërit e mi kosovarë nuk i japin kredibilitet një kryeministri si ti. Vëllezërit e mi kosovarë, kosovarët që i njoh dhe i di do të kërkojnë llogari prej teje për këtë”.

“Unë e di edhe këtë. Politika nuk zhvillohet me telekomandë. Ata që bëjnë politike me telekomandë ata edhe karrierën e përfundojnë me telekomandë”, përfundoi Erdogan.