Koalicion i madh me bosht rreth Aleancës mund ta mposhtë pushtetin

Robert Nesimi

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 me të drejtë u cilësuan si revolucionare. Mirëpo shpesh me këtë cilësim gabimisht nënkuptohet rrënia e regjimit të Gruevskit, ndërkohë që revolucioni i vërtetë ndodhi në bllokun politik shqiptar. Fundja në bllokun maqedonas ndodhi vetëm fuqizimi dhe rikthimi në pushtet i një partie të vjetër, e cila sipas mënyrës së qeverisjes gjithnjë e më tepër po dëshmon se nuk ka mësuar gjë nga qëndrimi i gjatë në opozitë. Ndërkaq tek shqiptarët ndodhi tërmet i vërtetë pasi në skenë u shfaqën dy parti të reja që përmbysën totalisht status-quonë dhe establishmentin e vjetër, duke përgjysmuar BDI-në dhe duke zhdukur thuajse plotësisht PDSH-në.

Ky fenomen nuk mund t’i linte indiferente strukturat e vjetra, si maqedonase ashtu edhe shqiptare, që qeverisën vendin 30 vite me rradhë. Dy subjektet e reja që u paraqitën fuqimisht në skenë, Aleanca dhe Besa, refuzuan të luajnë me rregullat e vjetra të lojës.

Natyrisht kjo ishte diçka që duhej luftuar me çdo kusht, sepse iu prishte terezinë qarqeve të vjetra, të mësuara vetëm të ndërronin rolet në pushtet e opozitë, pa sjellur kurrë ndonjë ndryshim rrënjësor në vend. Mllefi dhe pakënaqësia e popullatës shqiptare, të shprehura me votën për këto subjekte, duheshin amortizuar dhe defaktorizuar në çdo mënyrë. Në thelb pra duhej të bëhej një betejë me të gjitha mjetet kundër subjekteve të reja shqiptare, me qëllim që të ruhet establishmenti i vjetër. E për këtë interes të veçantë kishin ato më të kërcënuarat, partitë politike të vjetra e të etabluara, VMRO, SDSM, dhe sidomos BDI e PDSH.

Hapi i parë në këtë betejë u bë qysh gjatë zgjedhjeve parlamentare. Duke parë se Aleanca dhe Besa me përkrahjen e tyre në popullatë nuk do mundej plotësisht të anashkalohen, duhej të paktën të parandalohet çfarëdo lloj bashkëpunimi mes tyre. Nëse ato do dilnin bashkë në zgjedhje kishte rrezik serioz që të dilnin fitues absolut te kampi shqiptar dhe kështu të fshinin përnjëherë nga skena BDI-në dhe PDSH-në. Për këtë qëllim në të dy kampet u futën elemente përçarës, që do bëheshin shkas për të penguar bashkëpunimin.

Koha tregoi se në gjirin e Aleancës këtë rol ishte përcaktuar t’a luajë RDK e Vesel Memedit dhe Uniteti, ndërsa pas zhvillimeve të fundit te Lëvizja Besa po bëhet e qartë se elemente të ngjashëm kundër bashkëpunimit ka patur edhe në atë mes. Sidoqoftë koalicioni nuk u bë, por Aleanca dhe Besa shënuan rezultate të mira në zgjedhje edhe të ndara. Kjo manovër nuk e shpëtoi PDSH-në, por të paktën ja zgjati jetën BDI-së.
Më pas hapi i dytë drejt amortizimit dhe defaktorizimit ishte plani për të kooptuar Aleancën. Sipas kësaj logjike, pasi nuk mund të mposhteshin në zgjedhje, subjektet e reja duhej të bëheshin për vete, pra të detyrohen të pranojnë rregullat e vjetra të lojës dhe të fillojnë e luajnë rolin e partive të vjetra. Në këtë drejtim u keqpërdor skajshmërisht vullneti i mirë i Aleancës për të dhënë kontributin e vet në qeverinë e re. Duke tentuar t’a joshin me pushtet, plani duket se ka qenë që Aleanca të ndihej gjithnjë e më komode dhe e afërt me BDI-në dhe dalëngadalë të bëhet bisht i saj, apo të paktën të zinte vendin e PDSH-së, por si e si të bëhej pjesë e lojës së vjetër të katër partive. Ky plan natyrisht dështoi pasi doli se Aleanca kishte vizion krejt tjetër dhe nuk ishte e interesuar të vazhdonte avazet e partive të vjetra shqiptare në pushtet. Hapi përfundoi pa sukses, me joshje të vetëm dy partive minore, Unitetit dhe RDK-së së Vesel Memedit. Për të bërë sulmin e rradhës duheshin pritur zgjedhjet lokale.

Gjithçka që ndodhi gjatë zgjedhjeve lokale mund të llogaritet si tentimi i tretë për të shkatërruar partitë e reja shqiptare. Rundi i parë i zgjedhjeve dëshmoi se rezultati i zgjedhjeve 2016 nuk kishte qenë i rastësishëm dhe se vullneti i shqiptarëve për të përmbysur status-quonë e vjetër nuk ishte shuar. Edhe pas shkëputjes nga VMRO, BDI kishte çaluar dhe mbeti në po ato vota që kishte patur në 2016, ndërsa PDSH u përgjysmua për së dyti.

Aleanca shënoi rritje të jashtëzakonshme, ndërsa bashkë me Besën tejkalonte 100.000 vota.

Kur këto dy subjekte bënë koalicion për rundin e dytë, situata për establishmentin e vjetër u bë tejet alarmante; BDI tani rrezikohej të binte gjithkund. Të përballur me mundësinë që Aleanca me Besë të korrnin fitore të madhe, e nesër të kishin qëndrim krejtësisht tjetër dhe më dinjitoz karshi partive maqedonase, u bë një mobilizim i jashtëzakonshëm i establishmentit për të shpëtuar BDI-në. Aty me të gjitha forcat u kyç SDSM, së bashku me gjithë aparatin shtetëror dhe megafonët e tij mediatikë, ndërsa kur nuk mjaftoi as kjo, vende-vende u aktivizuan edhe PDSH dhe VMRO. Me gjithë këtë mobilizim rezultati prapseprapë doli gjysmak. BDI vërtetë fitoi më tepër komuna, por mënyra e suksesshme e funksionimit të koalicionit Aleanca me Besë dhe fakti që ai morri mbi 100.000 vota treguan fuqishëm se vullneti politik shqiptar ka ndryshuar njëherë e mirë.

Zgjedhjet lokale pra dëshmuan se kurdo që të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Aleanca me Besë do të dilte fitimtare. Atëherë u desh të aktivizohet faza e katërt e mposhtjes dhe defaktorizimit të partive të reja shqiptare. Nëse fronti i bashkuar Aleanca-Besa nuk mund të thehej më, atëherë mbetej që këto parti me çdo kusht të shkatërrohen nga brenda. Për fat të keq ky qëllim u arrit në rastin e lëvizjes Besa.

Besa u nda në mes dhe u shndërrua përnjëherë në dy subjekte, ku e ku më të dobëta se Besa origjinale. Ndarjen e bën edhe më të dhimbshëm fakti që ajo ndodhi për hir të mosmarrëveshjeve personale të disa individëve në majen e kësaj partie, pa dijeninë, dëshirën dhe kundër vullnetit të pjesës dërrmuese të aktivistëve dhe votuesve të saj. Kështu gjysma e planit për përçarje të partive të reja përfundimisht gjeti sukses në fillim të vitit 2018.

Gjysma tjetër e planit natyrisht ishte që e njëjta gjë t’i bëhej Aleancës. Duheshin shfrytëzuar elemente të saj të pakënaqura nga largimi nga qeveria, të tjerë që gjatë bashkëqeverisjes mund të ishin afruar me BDI-në ose SDSM-në, apo të tillë që mund të kishin nostalgji për t’u rikthyer në PDSH. Ne nuk e dijmë se çfarë lojërash janë luajtur në prapaskenë, por një pjesë e këtyre tentimeve u zhvilluan para syve të publikut.

Në këtë drejtim duhen lexuar thirrjet e Zaevit që funksionarë të Aleancës të qëndrojnë në postet e tyre edhe pas largimit të saj nga qeveria, zvarritja e shkarkimit të zëvendësministrave e drejtorëve të Aleancës edhe pas dorëheqjes së tyre, rrotullimi konstant i mundësisë që PDSH të bëhet pjesë e qeverisë, apo përsëritja banale nëpër mediume e tezës se brenda Aleancës ka përçarje, edhepse përplasje e përçarje ku e ku më të mëdha ka nëpër parti tjera si VMRO e BDI. Për fat të mirë Aleanca ju bëri ballë me sukses gjithë këtyre tentimeve dhe i gjithë skenari përfundoi me largimin e saktësisht një individi nga dega e vogël e Butelit.

Për fund duhet thënë se është naive të mendohet se puna këtu ka mbaruar dhe se këto tentime do të përfundojnë me kaq. Strukturat e interesuara për amortizim dhe defaktorizim të vullnetit shqiptar dhe për ruajtje të status-quosë së vjetër nuk do të ndalin hovin dhe do të tentojnë me çdo mënyrë të copëtojnë edhe më opozitën e mirëfilltë shqiptare. Megjithatë kjo nuk duhet të shkaktojë defetizëm apo pajtim me fatin ndjellakeq se të ardhmen tonë përherë e kontrollon tjetërkush.

Partitë e reja duhet të refuzojnë joshjet nga SDSM, BDI e PDSH dhe të vazhdojnë rrugën e tyre siç e kishin vizatuar kur u paraqitën fillimisht në skenë. Megjithë përçarjet te Besa, vija e kuqe akoma nuk është kaluar dhe një koalicion i madh me bosht rreth Aleancës me siguri mund të mposhtë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme. Vullneti i shqiptarëve për të ndëshkuar politikat e vjetra nuk ka ndryshuar. Mjafton vetëm pak pjekuri politike dhe ai vullnet do të orientohet vetvetiu aty ku duhet.