Nuk kanë para as për bukë, familja tre anëtarëshe kërkon ndihmë

Një ndihmë sociale e marr 4,200 denarë. Nuk kam unë tjetër gjë, shpirti më dhemb, e shoh nipin, nusen, po mundohet po nuk kanë çfarë të bëjnë” , tha Shaban Haxhiu. Një mal me halle për Shaban Haxhiu nga Çairi.

Ai njërën këmbë e ka të prerë, ka probleme me zemrën, ndërsa edhe fytin nuk e ka mirë . Jeton vetëm me nusen e djalit dhe nipin e tij të vogël. Sevdie Haxhiu me lot në sy rrëfen për jetën e tyre skamnore dhe kushtet e vështira financiare.

“Ka pasur ditë që nuk i kam pas as 10 denarë, me ble një bukë. Kam shkuar ose te vëllai ose tek motra kam marr pare edhe kam ble”, u shpreh Sevdie Haxhiu. Para 7 muajve kushtet e rënda ekonomike detyruan atë që së bashku me burrin dhe djalin e vogël të kërkon azil në Belgjikë. Shkuan atje, por burri i saj, siç tregon Sevdia, pati një zënkë me një mjekë, me çka përfundoi në burg. Ajo më pas u detyrua e vetme, me djalin e saj të kthehet në Shkup.

“E mora burrin djalin për me u bë ma mirë. Shkuam atje, prej azilit asgjë, na jepshin 7 euro në javë dhe diçka për të ngrënë.

Pa i bë pesë muaj burri im u lajmërua në mjek se kishte probleme me venat. Këtu nuk kishim mundësi me u bë operacion, pare duhej të kemi. Burri u fjalos tek mjeku, pas kësaj burrin e morën edhe e futën në burg”, tha Sevdie Haxhiu.

Shtëpia në të cilën jetojnë tani është e vjetër. Çatia është e çarë, ndërsa kur bie shi, uji depërton gjithandej. Kjo familje tre anëtarëshe e cila ka mbetur pa të zotin e shtëpisë, kërkon ndihmë, çfarë do që të jetë, ushqim, veshmbathje, por edhe mjete për rregullimin e shtëpisë. /tv21/
contact tel: 071 920 164