Pacolli e fton për iftar, Haradinaj ia “kris” alkoolit

Zëvendëskryeministri që njëkohësisht është edhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, për çdo vit bëhet temë me agjërimin e Ramazanit. Ai njihet si mysliman i përkushtuar së bashku me familjen.
E në këtë muaj të shenjtë për myslimanët, Pacolli kishte vendosur ta organizojë një iftar të madh, duke ftuar qeveritarë e ambasadorë, shkruan Gazetametro.net.

Mirëpo, ndonëse feja islame që e praktikon Pacolli e ndalon alkoolin, ky i fundit nuk hezitoi t’ua servojë mysafirëve që i përkasin feve të tjera. As diplomatët e huaj nuk përtuan ta pinë si zakonisht, ndonëse ishin të ftuar në një tryezë iftari.

Hezitim nuk pati as kryeministri Ramush Haradinaj, i cili shihet teksa gostit me gotën me verë në tavolinën që Pacolli kishte servuar për iftar. Haradinaj ishte në tavolinë me ambasadorët e Amerikës, Francës, shefen e BE-së dhe fytyra të tjera të njohura të diplomacisë.Në fotografitë e publikuara nga darka e iftarit shihen qindra persona, e po ashtu dhjetëra të tillë shihen teksa konsumojnë alkool.

Sidoqoftë, Haradinaj nuk ka hezituar as më herët ta thotë në publik qasjen e tij ndaj fesë islame, për të cilën gjë u kritikua mjaft shumë nga komuniteti mysliman. Haradinaj po ashtu ka pranuar edhe se është adhurues i alkoolit. Ai ka pranuar vetë që e konsumon mjaft shumë.

Ndryshe, Pacolli flet për agjërimin e tij çdo vit duke thirrur iftar tradicional. Javë më parë profesori universitar Enver Hasani, e kishte akuzuar Pacollin se kishte sjellë në politikën kosovare “shkollën ruse”, që nënkuptonte futjen e fesë në diskursin politik.