Partia e turqve gati për hyrje në Qeveri, dy krahët e Besës prioritet për Zaevin

Qeveria i finalizon negociatat me Partinë Demokratike të turqve në Maqedoni që edhe ajo të bëhet pjesë e shumicës parlamentare. Këtë e deklaroi kryeministri Zoran Zaev i cili pret që të martën e ardhshme të finalizohet bashkëpunimi, ndërsa qeveria do të negociojë edhe me partitë e tjera të opozitës. Zaev tha se BESA është një nga partitë që kanë prioritet në ciklin e negociatave.

“Deputeti i Partisë Demokratike të turqve tashmë merr pjesë në përkrahjen e zgjidhjeve ligjore dhe procedurave në Kuvend. Duhet ta finalizojmë bashkëpunimin dhe pas kësaj do të bisedojmë edhe me partitë e tjera politike. Para se gjithash, mendoj për BESËN, madje për dy krahët e kësaj partie. Besoj se ekziston diçka që do t’i bashkojë ata në një grup”, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër i RM-së.

Nga dy krahët e BESËS thonë se janë të hapur për të negociuar me kryeministrin Zaev për hyrje në Qeveri. Nga krahu i Afrim Gashit për TV21 nuk deshën t’i zbulonin kërkesat e tyre gjatë bisedimeve, por thanë se do të bisedojnë për parimet e qeverisjes së përbashkët.

“Këto janë temat mbi të cilat duhet të bisedohet me kryeministrin por ende është herët që të zbulojmë detaje para opinionit. Njësoj siç ishte gjatë bisedimeve kur formohej qeveria, ne edhe tani duam të bisedojmë për parimet e qeverisjes së përbashkët para se të bisedojmë për shpërndarjen e dikastereve. Pasi që kemi informacione më konkrete në lidhje me këtë, menjëherë do t’ju informojmë”, thanë nga Lëvizja Besa, krahu i Afrim Gashit.

Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Besa tregon që krahu i Bilall Kasamit këtë javë është në pritje të ofertës nga shefi të ekzekutivit për ta vendosur pastaj se a do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar.

“Botërisht dihet që në janar kishte takim kryetari Bilall Kasami me kryeministrin Zaev, ku u diskutua për çështjen e reformave në përgjithësi. Ata paralajmëruan që në pranverë, pra në mars, do të ketë lëvizje dhe hapje për ndryshimet e para, kjo është paralajmëruar edhe nëpër mediume që do të ketë bisedime. Tash presim që të caktohet takimi për të zhvilluar bisedimet, të cilave do t’i paraprinte ftesa, e pastaj për të diskutuar në organet partiake për pjesëmarrjen e mundshme aktive në qeveri”, u shpreh Kastriot Rexhepi, Lëvizja Besa.

Zaev në deklaratë tha se qëndrimi i përbashkët i partnerëve të koalicionit të Qeverisë është se dyert janë të hapura për partitë dhe për deputetët që janë në opozitë, për të pasur mundësi të negociojnë dhe të bëhen pjesë e pushtetit ekzekutiv./RTV21/