Përçarje në rradhët e BDI-së, ja kush e përkrah Hazbi Likën dhe kush Musa Xhaferin

Hazbi Lika me krahun e tij në parti, e shpëtoi BDI-në nga debakli në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ato lokale. Mirëpo tani që kjo parti ka filluar të ndihet komode në skenën politike, disa rrymave partiake u pengojnë pozitat e fuqishme të Likës në ekzekutiv.
Mediumet me të madhe shkruajnë për përçarje në parti mes zv/kryeministrit aktual Hazbi Lika dhe ish zv/kryeministrit, Musa Xhaferi.
Gazeta Lajm ka zhvilluar një hulumtim brenda radhëve të BDI-së, lidhur me zërat për përçarje në kreun e kësaj partie. Zyrtarisht, kjo parti mohon ekzistimin e përçarjeve të tilla. Mirëpo burime partiake, që duan të mbeten anonime, thonë ekskluzivisht për Gazetën L:ajm se rivalitetet janë evidente dhe kanë të bëjnë me ndërtimin e pozitave sa më të forta në qeveri dhe ndarjen e “kulaçit” të mbetur të pushtetit, por edhe me “luftën” për pozicione më të volitshme para kongresit të ardhshëm partiak.
Sipas këtyre burimeve, përkrahësi më i fortë i Hazbi Likës dhe krahu i djathtë i tij është kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari. Afërsia mes tyre daton që nga viti 2001.
“Dehari që moti është në konflikt me Musa Xhaferin, i cili në zgjedhjet e fundit tentoi të nxjerrë një kandidat tjetër në Kërçovë”, thonë burimet e Gazetës Lajm. Një përkrahës tjetër i Likës është edhe ish nënkryetari i BDI-së, Rafiz Haliti. Për këtë arsye, thuhet se ai është duke u përballur me obstruksione nga “bashkëpartiakët” të cilët ende nuk po e lejojnë të marrë pozicionin e kryetarit të Këshillit Drejtues në ndërmarrjen GAMA, ku është caktuar para disa muajve.
Krah Hazbi Likës është edhe ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, siç ishte edhe ish ministri i drejtësisë, Bilent Saliji. “Armiqësia” me Musa Xhaferin e afron me Hazbi Likën edhe ish kryetarin e komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta. Në zgjedhjet lokale, afër Hazbi Likës ka qenë edhe kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi. Mirëpo sa më shumë kohë kalon nga zgjedhjet lokale, aq më tepër zbehen edhe raportet mes tyre, duke u kthyer dal ngadalë sërish në raporte rivale, siç kanë qenë para zgjedhjeve.
Lika ka edhe shumë përkrahës tjerë në eshalonin e dytë dhe të tretë dhe për momentin konsiderohet si njeriu më i fuqishëm i partisë pas kryetarit Ali Ahmeti.
Para së gjithash kjo i pengon ish zv/kryeministrit Musa Xhaferi, dikur njeriu i dytë në parti, nëbazë të ndikimit real.
Si përkrahës më të drejtpërdrejtë të Musa Xhaferit konsiderohen kryetari aktual i komunës së Sarajit (ish ministër i drejtësisë), Blerim Bexheti. Në këtë mes, përmendet edhe kryetari i Strugës, Ramiz Merko. Më tepër për shkak të rivalitetit në degën e Tetovës, se sa për shkak të afësrisë me Musa Xhaferin. Poashtu flitet se Musa Xhaferi ende ka mbështetjen edhe nga ish shefi i kabinetit të tij, deputetit aktual, Ejup Halimi nga Çairi.
Përveç dy rrymave të lartpërmendura, në BDI funksionin edhe “faza e tretë” e cila mban qëndrim më neutral.
Ministri i ekologjisë Sadulla Duraku qëndron pranë kryetarit të partisë, Ali Ahmeti edhe pse në raportet Lika-Xhaferi më tepër mban anën e Likës, por pa u involvuar direkt. Të njëjtën “ekudistancë” mbajnë edhe Bujar Osmani e Artan Grubi, por për dallim prej Durakut, ata preferojnë “balanc” në parti, e jo një krah të fortë siç është krahu i Hazbi Likës. Pozita krejtësisht neutrale mban kryetari i Çairit Visar Ganiu, kurse paraardhësi i tij Izet Mexhiti, si nënkryetar partie mban anën e Hazbi Likës. Për Talat Xhaferin thuhet se më tepër është i angazhuar me postin e kryeparlamentarit, se sa me “vorbullimet” partiake.