Përfundon fushata për referendumin, fillon heshtja zgjedhore

Propaganda publike për referendumin e së dielës përfundoi në mesnatë, me çka përfunduan të gjitha aktivitetet e pjesëmarrësve në fushatë.

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) dje njoftoi se fushata “Qëndrimi yt, e drejta jote” e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, si fushatë e interesit publik, nuk bie në propagandë publike për referendumin dhe mund të transmetohet të premteve dhe të shtunave edhe pse tashmë do të jetë heshtje zgjedhore para referendumit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Fushata edukative dhe informative “Qëndrimi yt, e drejta jote” e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nuk konsiderohet propagandë paguar publike për referendumin dhe për këtë arsye mund të emetohet në ditët e referendumit”, thanë nga ASHMAA.

Sipas orarit të KSHZ-së, heshtja zgjedhore fillon 48 orë para mbajtjes së referendumit.

Sipas vendimit të marrë nga Kuvendi, pyetja për të cilën do të votohet në referendum do të jetë: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO, duke pranuar marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë?”

Referendumi do të ndiqet nga rreth dhjetë mijë vëzhgues nga Maqedonia dhe rreth 500 vëzhgues të huaj.