Qeveria bën përgatitje për rishikimin e buxhetit

Po përgatitet një rishikim i buxhetit. Arsyeja për riorganizimin e arkës së shtetit është kursimet e bëra prej 25 milionë eurove. Këto para, të cilat Ndërmarrjet Publike i kanë kursyer nga fillimi i vitit, do të ri-destinohen për projektet kapitale.

“Ndërmarrjet Publike kanë realizuar rezervë dhe fitim, unë do ti them disa prej tyre. Byroja për Metrologjinë shtatë milionë euro, pesë milionë në Gazetën Zyrtare, në Hapësirat e biznesit kemi katër milionë euro. Kemi një dividendë prej 3.7 milionë eurosh të pashpërndarë që nga viti 2016. Të gjitha këto do t’i kanalizojmë në këto parashikime kapitale dhe këtu do të kemi nevojë për një rishikim”, – deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Por me rishikimin e buxhetit, qeveria nuk planifikon të ulë parashikimin e rritjes ekonomike prej 3.2%, ndonëse FMN dhe Banka Botërore i kanë reduktuar parashikimet e tyre. Zaev njofton rritjen prej 4 për qind këtë vit.

“Besoj se nëse arrijmë të realizojmë 65% të asaj që kemi planifikuar, nga ajo që kemi planifikuar, besoj se do të arrijmë në 3.2%. Ju e dini, ambicia ime është se 4 për qind mundet të arrijë Maqedonia”, – tha Zoran Zaev, kryeministër.

Sipas kryeministrit, realizimi i dobët i investimeve kapitale që nga fillimi i vitit është për shkak të stagnimit karakteristik për periudhën e dimrit. Rritjen e ekonomisë në gjysmën e dytë të vitit e mbështet në projekte kapitale. Midis tyre janë investimi prej 200 milion euro për ndërtimin e kompleksit në Panairin e Shkupit, investimi prej 150 deri 200 milion euro të Limak, finalizimi i procedurave për ndërtimin e hidrocentraleve Çebren dhe Gradishtë prej 220 milion euro dhe projekte në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore. Sipas Zaev, qëllimi i programit të qeverisë është rritja e ekonomisë së Maqedonisë prej 5 për qind deri në fund të mandatit.