Partnerët e koalicionit qeveritar pranojnë se ka bisedime të ndërmjetëme për ndryshime të mundshme të disa prej emrave të ministrave të kabinetit ekzekutiv. Nga LSDM-ja shtojnë se nuk ka pasur takime posaçërisht për këtë temë, por, megjithatë, janë diskutuar disa opsione. Deri tani, asnjëra nga partitë nuk konfirmon emra konkret të ministrave që mund të ndërrohen ose të bëhen shkëmbime mes dikastereve, raporton Alsat-M.

Gjatë muajve të fundit në opinion janë lakuar disa nga emrat që janë më afër largimit. Siç është përfolur disa herë joyzrtarisht, BDI-ja kërkon alternativa për zëvendësimin e zv.kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika. Për punën e Likës, vetë kryeministri Zoran Zaev kishte deklaruar publikisht se nuk është i kënaqur. Kurse LSDM-ja është shprehur e pakënaqur me ngecjen dhe shfuqizimin e reformave në Arsim dhe kërkon të kthejë përsëri Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Nuk dihet nëse kjo do të nënkuptojë shkëmbimin e sërishën të dikasterit të Arsimit dhe atij të Drejtësisë,
institucione që gjithmonë janë ndarë mes partnerëve të koalicionit.

Nga ana tjetër, jozyrtarisht, pritet të largohet edhe ministri pa resor Adnan Qahil, nga Partia për Lëvizjen e Turqëve i cili kohë më parë u shkarkua nga partia e tij për shkak të pretendimeve për korrupsion. Pas tij, për largim përflitet edhe emri i ministrit pa resor Aksel Ahmedovski, nga partia për Emancipim të Plotë të Romëve. Që do të ketë ndryshime në kabinet, tashmë e ka konfirmuar edhe kryeministri Zaev.

“As unë dhe as qytetarët nuk do të na kuptojnë nëse nuk i realizojmë programet,
buxhetin, veçanërisht zhvillimin kapital të Maqedonisë sepse të gjithë jemi të përkohshëm këtu dhe duhet patjetër të mbajmë përgjegjësi”- tha Zoran Zaev, kryeministër. Rikonstruim s’do të ketë por ndryshim të ministrave do të ketë? “Me siguri, po.”- pohoi Zoran Zaev, kryeministër. Sipas zyrtarëve të pushtetit, partitë pritet të ulen dhe të diskutojnë për zëvendësim të kuadrove, pas ndryshimeve kushtetuese./Alsat-M