Serbët lavdërojnë “FIT”-in, njësinë speciale të Kosovës, e krahasojnë me SWAT-in

Mediat serbe kanë vazhduar edhe sot me trajtimin e aksionit të arrestimit të drejtorit të të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

“Telegraf” serb i ka kushtuar një artikull voluminoz njësisë “FIT” të Policisë së Kosovës, e cila në hallkën e njësiteve më të përgatitura policore, renditet mbi atë të ROSU-s, njësi kjo që mori pjesë në arrestimin e Gjuriqit.

Edhe pse gjatë aksionit të ditës së hënë në veri prezente ishin vetëm Njësia Speciale Operative e njohur me emrin ROSU, serbët duke u bazuar në deklaratat e Presidentit Vuçiq po pretendojnë se aty ishin edhe njësia “FIT”.

“Në këtë kohë krize, provinca jugore e Serbisë është rrethuar nga njësitë speciale të Policisë së Kosovë, ROSU dhe FIT”, tha Vuçiq mbrëmë.

Njësia “FIT”, siç shkruajnë mediat serbe është njësi policore e trajnuar nga një ekip special i instruktorëve të SWAT-it amerikan, pastaj specialistë franceze të GIPN-it, HRF-së egjiptiane, SEK-ut gjerman, PT-së daneze, etj, shkruan lajmi.net.

Projetki që nga fillimi ishte që këto forca t’i ngjasonin SWAT-it amerikan, shkruan gazeta serbe.

Siç bëjnë të ditura kinse burimet e “Telegraf”, njësia “FIT” e Policisë së Kosovës numëron më shumë se 90 pjesëtarë, të cilët citohen si shumë më të përgatitur dhe armatosur se ROSU.

“Ata kanë autoritet të veprojnë në tërë territorin e Kosovës, ata ishin prezentë edhe në aksionin e së hënës në veri të vendit dhe ishin të gatshëm të intervenojnë në arrestimin brutal të Gjuriqit”, shkruan “Telegraf”.

Ky medium serb në këtë artikull po ashtu “i thur lavde” kësaj njësie, përgatitjes dhe aksioneve të saj.