SKANDAL/ Agjencia për Rini dhe Sport boton libër me përmbajtje antishqiptare

Një skandal i rëndë po trondit Agjencinë për Rini dhe Sport. Në kuadër të përmbledhjes me poezi të titulluar “Poetët e rinj”, libër ky i përkrahur dhe botuar nga kjo agjenci, ka tekste me përmbajtje anti-shqiptare. Për më tepër, si redaktor i këtij libri është Darko Kaevski, i cili njëkohësisht është edhe udhëheqës i Agjencisë për Rini dhe Sport.

Vargjet përplot albanofobi, janë pjesë e librit i cili është botuar në 5 mijë kopje, ndërsa në njërën nga “poezitë” radhiten në mënyrë përçmuese disa profesione të cilat gjoja u përkasin fqinjëve shqiptarë të autorit të poezisë.

Poezia në gjuhën maqedonase përfundon me përdorimin e fjalën “shiptari”, që maqedonasit e përdorin për ofendim, kur u drejtohen shqiptarëve. Pas kësaj, kanë vërshuar komentet në rrjetet sociale, ku qytetarët pyesin se si ka mundësi që një tekst ofendues për shqiptarët të botohet nga një agjenci shtetërore, kur edhe shqiptarët janë taksapagues dhe financues të po së njëjtës. Libri gjithashtu përmban edhe poezi me përmbajtje seksiste.