Hendbollisti i klubit të Vardarit dhe përfaqësueses së Maqedonisë, Stojançe Stoilov ka braktisur ceremoninë e zgjedhjes së sportistit të vitit në Maqedoni nga Agjencia për Rini dhe Sport, vetëm pse u përdor dygjuhësia dhe u fol në gjuhën shqipe.

Ai ishte fituesi i çmimit të vitit të kaluar “Sportisti më i mirë në Maqedoni”. Stoilov ka reaguar pasi që ka hasur që po përdoret gjuha shqipe nga një sportist shqiptar nga shkollat e mesme të Tetovës, për shpalljen e shkollës më të mirë në lëminë e sportit gjatë 2018. “Ndjehem i turpëruar dhe i nënçmuar”, ka thënë hendbollisti i Klubit të hendbollit “Vardar”, i cili këtë porosi e ka përcjellë në viber grupin e hendbollistëve të përfaqësueses së Maqedonisë. Deri tani sjellja e këtij sportisti nuk është dënuar nga ana e organizatave të sportit dhe Agjencia për Rini dhe Sport, e cila ishte organizatore e kësaj ngjarje sportive të fundvitit.