Tensione në kufi, francezët kalojnë të armatosur në Itali (VIDEO)

Punonjës të doganës franceze në kufi me Italinë kanë shkaktuar situatë të tensionuar mes dy vendeve duke hyre të armatosur në një klinikë emigrantësh, që ndodhet rreth 1 km brenda territorit italian.

Incidenti ka ndodhur në Bardonechia, pranë Torinos ku 5 oficerë francezë kanë detyruar një emigrant të kryejë testin e urinës e duke frikësuar stafin mjekësor italian që ndodhej aty.

Ngjarja është denoncuar nga shoqata ‘Rainbow for Africa’. Sipas organizatës aksioni i oficereve franceze ishte një ndërhyrje serioze në punën e një shoqate joqeveritare.

Siç konfirmojnë mediat italiane, ambasadori francez Christian Masset është thirrur ne ministrinë e Jashtme italiane për të dhënë sqarime të shtunën pasdite rreth incidentit. Por pavarësisht nga reagimi i autoriteteve italiane, ministri francez i punëve publike Gerald Darmanin, ka deklaruar se në bazë të një marrëveshjeje të 1990 për kontrollin ndërkufitar, doganieret franceze mund të ndërhyjnë në territorin italian.

Autoritetet franceze pohojnë se oficeret e doganës duke udhëtuar me tren, ishin në ndjekje të një shtetasi nigerian rezident në Itali, pasi kishin dyshime se ai transportonte droge. Doganieret francezë kanë pritur derisa pasagjeri ka zbritur nga treni dhe u lejuan të përdornin stacionin e Bardonechias për një analize urine, test që rezultoi negativ./Top Channel/