Veseli reagon ashpër pas arrestimit të gylenistëve: Nuk korrespondon me vlerat tona

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar ashpër për arrestimin e shtetasëve turq sot në Kosovë.
Veseli ka thënë se kjo formë nuk e përfaqëson sundimin duhur të ligjit e as konsolidimin e nevojshëm të demokracisë.

“Arrestimi i sotshëm i gjashtë shtetasve turk, banorë me leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë dhe punonjës në Kolegjin Mehmet Akif të akredituar sipas standardeve përkatëse të Kosovës, nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë. Ndërmarrja e veprimeve të tilla pa respektim të procedurave përkatëse dhe mungesë transparence lë hapësirë të theksuar për mëdyshje për veprimet arbitrare të autoriteteve në fjalë”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Veseli ka thënë se në mënyrë institucionale duhet të adresohen në përgjegjësi ligjore të akterëve të involvuar në këtë rast.

“Si shtet demokratik, Kosova në mënyrë institucionale duhet të adreson përgjegjësinë ligjore të akterëve të involvuar në këtë rast. Po ashtu, arrestimi i shtetasve të huaj në flagrancë për dyshime të pabazuara, nuk korrespondon me vlerat evropiane që duhet t’i përfaqëson Kosova. Kosova s’ka alternative tjetër veç rrugëtimit evropian. Kjo, natyrisht, kërkon sundim të ligjit dhe llogaridhënie prej abuzuesve arbitrar të tij”, ka shkruar Veseli.

Ndryshe sot gjatë ditës Policia e Kosovës ka arrestuar 6 shtetas turq, që ishin drejtues të kolegjeve private në Kosovë, Mehmet Akif, dhe që konsideroheshin njerëz të afërt të Fetyllah Gylenit, që është kundërshtar i madh i presidentit turk, Erdogan./Lajmi.net/