Gjyshja nga Tetova ka 6 djem por asnjëri nuk e ruan: Jam vetëm edhe në iftar edhe në syfyr!

Gjyshja nga Tetova nuk pranon të fotografohet dhe të publikohet emri i saj për shkak të frikës nga reperkusionet e mundshme.

SHKUP -Një rrëfim tronditës vjen nga një gjyshe nga Tetova. Ajo ka hapur zemrën para gazetarit të portalit, Amerika-RADIO, mirëpo nuk dëshiron që ta fotografojm dhe të publikojm emrin e saj. Është nga një fshat periferik nga Tetova dhe ka 79 vjet. Me lotë në sy dhe dhimbje të madhe tregon se 4 djem i punojnë dhe jetojnë në Itali dhe dy djem këtu në Maqedoni, ndërsa askush nuk kujdeset për to.

“ Erdhi Ramazani be birë, shpija jonë është akullë. Nuk ka gëzim, nuk ka asgjo. Gjithë ditën qaj! Koha nuk ecë, gjithë djemtë na harruan mu dhe burrin tem. Të kish 6 djem dhe të mos të ndimoje askush në pleqni, bollë zortë kona. Fmitë thojshin duhen në pleqni, po asnjoni pi 6 djemve nuk donë të na rruje. Unë me burrin rrim vet në shpi. Ku ham, e ku nuk ham bukë. Më shumë qaj dhe mendohem si mund të na lënë në këtë derexhe. Unë do ju bëj hallall, po nuk di Allahu a do ju bën hallall atyve”, rrënkon nën zë gjyshja 79 vjecare nga rrethina e Tetovës.

Ajo tani gjatë muajit të Ramazanit, thotë se bënë lutje vazhdimisht tek Zoti që ti jep shëndet për të agjëruar.

“ Ramazanin nuk do ta prishi deri në vdekje. E kam mbajtë dhe do ta mbaj. Edhe pse doktorët më thonë se nuk je mirë më shëndet, unë deri në frymën e fundit do ta mbaj. Po kisha dash një lutje deri te 6 djemtë e mij që gjenden në Itali dhe Maqedoni. Hajdeni nona më merni dhe më rruni, se lujtja mendsh pa i pa mbesat dhe nipat”, rrënkon gjyshja nga Tetova.

Largohemi nga ky fshat i Tetovës, me shpresë se gjyshes 79 vjecare do ti plotësohet dëshira që së paku njëri nga djemtë të bëhet më human, dhe kjo nënë shqiptare e cila ka rritur 6 djemë, të ketë një jetë më dinjitoze në pleqni.