Kasami: Besa insiston në Ridefinim, të shiturit do të marrin dënimin e merituar

Lëvizja BESA nuk ka devijuar nga koncepti i Ridefinimit të shtetit si një shtet të barabartë për të gjithë qytetarët, ndërsa ata që u shitën te pushteti dhe dëmtuan besatarët me qëllim të përfitimeve personale, do të marrin dënimin e merituar. Kështu për gazetën KOHA është shprehur kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, pas publikimit në Gazetën Zyrtare të vendimit Regjistrit gjyqësor të partive politike se BESA i takon Kasamit dhe se Kongres legjitim i kësaj partie është ai i muajit shkurt i grupit të Kasamit.

“Do vazhdojmë rrugëtimin tonë me Besë, pa devijuar aspak nga koncepti i Ridefinimit të shtetit si një shtet i barabartë për të gjithë qytetaret. Ju bëjmë thirrje të gjithë Besatarëve që vendi i tyre është te Lëvizja BESA pa marrë parasysh se dikush në një moment mund ti kishte mashtruar dhe si rrjedhojë, të kenë devijuar nga vizioni i Besës”, thotë Kasami. Për gjithë ata që keqpërdorin emrin e Besës, vijon më tej ai, janë ngritur procedura për përgjegjësi adekuate para organeve të drejtësisë.

“Besoj se gjykatat do ta bëjnë punën e vet dhe gjitha ata që dëmtuan Lëvizjen Besa me qëllim të përfitimeve personale duke u shitur te pushteti, do të marrin dënimin e merituar. Për gjithë ata që keqpërdorin emrin e Besës janë ngritur procedura për përgjegjësi adekuate para organeve të drejtësisë”, është shprehur kryetari i BESËS.

Ndryshe, Gazeta Zyrtare një javë më parë publikoi vendimin përfundimtar të Gjykatës Themelore Shkupi 2 për pronësinë e Lëvizjes BESA. Në publikimin e 28 nëntorit, ashtu siç ishte vendosur në disa vendime gjyqësore, BESA i takon kryetarit Kasami, ndërsa në Regjistrin gjyqësor të partive politike shënohet “Lëvizja BESA” me adresë në rrugën “Hristian Todorovski Karposh”, nr. 84A në Shkup, që është edhe selia e partisë së Kasamit.

Për gati dhjetë muaj, grupi i Afrim Gashit kishte pretenduar se partia i takon grupit të tij, megjithëse vulat i kishte Kasami. Megjithatë, gjyqësori, duke u nis nga Gjykata Themelore Shkupi II e deri te Apeli dhe Gjykata Administrative, i dha të drejtë Kasamit, duke ia pranuar Kongresin, si dhe pronësinë e Lëvizjes BESA, duke e regjistruar kështu në Regjistrin gjyqësor të partive politike. (koha.mk)

Posted on