June 25, 2019

Reka: Ja kur do ta njohë Serbia Kosovën

Reka: Ja kur do ta njohë Serbia Kosovën

Hapja e kapitullit të 35 të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, do të bëjë që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës brenda 2-3 viteve, ndryshe serbët nuk do të arrijnë cakun e tyre për integrim në BE. Kështu ka thënë kandidati i parë shqiptar për president të Maqedonisë Veriore, Blerim Reka, i cili në Kosovë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm përgjatë viteve.

Reka thotë se Beogradi zyrtar duhet të debllokojë rrugën e Republikës të Kosovës në anëtarësimin në OKB, ku më pas të dy vendet, të barabarta me njëra-tjetrën, do të mund të lidhnin një marrëveshje historike që do të çonte në njohjen në mes dy shteteve.

Reka thotë se Qeveria e Kosovës do të ishte dashur të dëgjonte këshillën e mikes së saj, Amerikës për të pezulluar taksën 100 përqind ndaj mallrave të Serbisë.

“Kaloj një shekull i armiqësive Beograd-Prishtinë. Konsideroj se Serbia do të duhet të del jashtë atij petku të Millosheviqit të viteve të 90-ta dhe të tejkalojë mentalitetin kolonialist ndaj Kosovës, ta pranojë faktin real dhe të mos ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ajo mund ta shtyjë edhe një kohë mosnjohjen e Republikës të Kosovës, por ajo do të detyrohet për 2-3 vite, jo për shkak të Kosovë, por do të detyrohet ta njeh Kosovën për shkak të negociatave ku do të hapet kapitulli 35 i BE-s, që kërkon në mënyrë ultimative nga Beogradi, normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Pa normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, Serbia nuk do të mund të arrijë në cakun që e ka projektu integrimin në BE”, ka thënë ai, për KosovaPress.

Ai ka adresuar kritika për pengesat që Serbia po i bënë Kosovës edhe në mënyra të tjera, teksa ka thënë se problemi shqiptaro-serb nuk zgjidhet me ndryshim të kufijve.

Sipas tij, tregtia me territore nuk do të ishte një alternativë e mirë, pasi që më parë duhet arritur marrëveshja historike ndërmjet dy vendeve, e tek atëherë të diskutohej për një gjë të tillë.

“Nuk besoj se do të mund të zgjidhej aq lehtë çështja e marrëdhënieve serbo-kosovare me ndryshim të kufijve, sepse në të dy anët ne kemi Kushtetuta, që janë akti më i lartë juridik, të cilat e kanë të garantuar paprekshmërinë e kufijve, përkatësisht ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial shtetëror. Nuk di se si do të mund të realizohej kjo ide, e cila siç dihet mund të bëhet vetëm me 2/3 e vetave të vendeve përkatëse, dhe nuk e di nëse kjo mund të kalonte në Kuvendin e Republikës të Kosovës”, u shpreh ai.

Për taksën 100 për qind, Reka thotë se fillimisht ishte vendim i një shteti sovran, e një qeverie që ka të drejtë të aplikojë taksa dhe tarifa doganore të reciprocitetit, bazuar në marrëdhëniet ndërkombëtare.