December 5, 2022

Filipçe do të vaksinohet kundër Kovid-19: Të shohin qytetarët se është e sigurt dhe duhet vaksinuar

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, sot theksoi se planifikon të vaksinohet në momentin që vaksina kundër Kovid-19 të arrije në Maqedoninë e Veriut, ai këtë do ta bëje publikisht në mënyrë që siç thotë ai, të vërtetohen njerëzit se vaksina është e sigurt dhe se ata duhet vaksinuar, shkruan Portalb.mk.

Ai potencoi se beson fuqishëm që vitin e ri të ardhshëm si dhe vjeshtën tjetër, bota nuk do të ketë më nevojë për masa restriktive të cilat vështirësojnë jetën e njerëzve, kjo për shkak të vaksinave të sigurta.

“Absolutisht që po, do të vaksinohem. Të tregoj dhe vërtetoj se njerëzit duhet të vaksinohen. Vaksinat janë të sigurta dhe ne e ndjekim procesin e zhvillimit të tyre në të gjitha fazat e studimeve klinike. Kjo do të ishte ajo që do të ndryshonte fotografinë e botës. Sinqerisht, besoj që vjeshtën e ardhshme, vitin e ri të ardhshëm nuk do të ketë nevoja për masa askund në botë, që nuk do të ketë restrikcione, vaksina në mënyrë të dukshme do të ngrije imunitetin dhe bota do të kthehet në normalitet” theksoi Filipçe.

Ndryshe, nga fillimi i pandemisë deri sot në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 68,332 raste të reja me Kovid-19, prej të cilëve janë shëruar 44,702 ndërkaq jetë kanë humbur 1949. Aktualisht në vend ka 21678 raste aktive me virusin korona.