Qeveria më në fund doli me qëndrim zyrtar për veton! “Ky është gabim strategjik, nuk heqim dorë nga gjuha dhe identiteti”

Këtë pasdite Qeveria u prononcua me kumtesë zyrtare pasi që u bë e qartë se as në dhjetor nuk do të ketë marrëveshje për mbajtjen e seancës së parë ndërqeveritare me BE dhe se këtë vit nuk ka marrëveshje për fillim të negociatave. Siç është e ditur, arsyeja është bllokada nga Bullgaria e cila vendosi veto për fillimin e negociatave për Maqedoninë. Në kumtesën e Qeverisë mes tjerash thuhet:

“Maqedonia e Veriut asnjëherë nuk do të heq dorë nga e drejta e vetëvendosjes së qytetarëve maqedonas që është e garantuar me Deklaratën e OBK, Deklaratën universale për të drejtat e njeriut, Konventën evropiane për të drejtat e njeriu, Marrëveshjen e Lisbonës si bazë kushtetuese e BE dhe vlerat themelore të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Identiteti nacional maqedonas nuk ishte, nuk është dhe nuk mund të jetë lëndë negociatash. Populli dhe gjuha maqedonase janë shtyllat e identitetit maqedonas. Ata burojnë nga e kaluara, ndërsa në të njëjtën kohë janë shtylla e të ardhmes tonë evropiane. Për fat të keq, procesin e zgjerimit si qëllim strategjik të BE e ndërpreu Republika e Bullgarisë si anëtare e BE. Bëhet fjalë për gabim të rëndë dhe të papërgjegjshëm gjeostrategjik. Në mars, Këshilli i BE njëzëri dha dritë jeshile për fillimin e negociatave me RMV. Të gjithë vendet anëtare të BE u pajuan me këtë, duke përfshirë edhe Bullgarinë. Mosmiratimi i kornizës negocuese është në dëm të parimeve dhe vlerave fondamentale të BE. Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk do të lejojë ngecje në reformat e brendshme. Përkundrazi, do të përforcojmë ritmin dhe do të rrisim përparësitë në reformat demokratike që i kemi në rajon”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut./TV21