December 5, 2022

Vdekja e 22-vjeçares shtatzënë nga COVID-19 në Shkup, Jovanovska: Dy herë refuzoi të hospitalizohet

Në mesin e 28 viktimave nga coronavirusi sipas raportit të së enjtes është edhe një lehonë 22 vjeçe nga Shkupi. Nga Spitali për Gjinekologji dhe Akusheri tregojnë se lehona ka qenë në javën e 37 dhe se kjo ka qenë shtatzënia e saj e parë.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se 22 vjeçarja ka pasur problem me diabetin dhe gjëndrat tiroide. Gjatë trajtimit është bërë përkushtim maksimal për shërimin e saj, mirëpo edhe përkundër kësaj lehona ka ndërruar jetë me 9 dhjetor njoftojnë nga ky dikaster.

Shtatzëna kishte pasur probleme shëndetësore. Disa herë kishte bërë kontrolle por nuk kishte pranuar të hospitalizohet, ndonëse kishin insistuar mjekët dhe familjarët e saj. Me datë 23 të muajit nëntor ishte shtruar përfundimisht në Spitalin për Gjinekologji dhe Akusheri në gjendje të përkeqësuar shëndetësore, ku foshnja vetëm se i kishte ndërruar jetë, sqarojnë nga ky spital.

“Ajo menjëherë u transferua në shok-dhomë dhe nisëm me procesin e lindjes. Ka lindur ditën e ardhshme me datë 24 me lindje cesariane me fryt të vdekur, 4kg e 300g”, tha Viktorija Jovanovska – Drejtoreshë e Spitalit Gjinekologjik.

Në testin e parë Covid shtatzëna kishte rezultuar negative, prandaj nuk kishte pranuar të shtrihet me një hapësirë me pacientet e dyshimta me korona. Ndërkaq drejtoresha e Gjinekologjisë thotë se pacientja i kishte të gjitha simptomat e virusit dhe për së dyti herë kishte dal pozitive.

“I kemi bërë test PCR dhe ka rezultuar pozitive, por ja po ju them se edhe nëse testi del negative, por nëse pasqyra klinike dhe laboratori tregojnë se pacientja është Covid-pozitive ne e trajtojmë si të tillë”, theksoi Viktorija Jovanovska – Drejtoreshë e Spitalit Gjinekologjik.

Me 26 nëntor lehona ishte transferuar në spitalin “8 shtatori”, ku edhe ka ndërruar jetë.

Nga fillimi i pandemisë në covid-pjesën në Klinikën Gjinekologjike kanë qenë të hospitalizuara 310 paciente pozitive ose të dyshimta me Covid-19. Një pjesë shumë e vogël kanë përfunduar në Covid-qendra dhe shumica kanë qenë me pasqyrë të mirë klinike, tha drejtoresha e Gjinekologjisë Viktorija Jovanovska. Ajo apelon që shtatzënat t’i dëgjojnë dhe t’i binden këshillave të mjekëve./TV21/