December 2, 2022

14 bebe erdhën në jetë në orët e para të 2021/ Rama, buqeta me lule e dhurata për nënat e reja

TIRANË- Meri, është emri i bebes që ka ardhur e para mes nesh bashkë me Vitin e Ri.

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishin mëngjesin e këtij 1 janari në maternitetin “Koço Gliozheni” në kryeqytet, për të uruar nënat e reja dhe stafin mjekësor që e kaloi natën e ndërrimit të viteve në shërbim të qytetarëve.

“Gëzuar për shumë vjet nënave që sollën në jetë 14 bebe në orët e para të Vitit të Ri në Tiranë dhe të gjitha familjeve të reja shqiptare po ashtu”, u shpreh Rama.

Ndërsa ka takuar nënat e reja dhe stafin e maternitetit, kryeministri Rama theksoi se mjekët dhe infermierët marrin 40% më shumë pagë këtë muaj.

“Mirëmëngjes dhe gëzuar. Ky është çeku që kam sjellë me vete edhe lulet për mamin”, shprehet kryeministri, ndërsa vizitoi pavionin.

Po ashtu, Rama vizitoi dhe një nënë të re e cila ende nuk i ka vendosur emrin bebes.

“Besoj se është vit i mbarë se ka ardhur me një seri gocash”, u shpreh Rama ndërsa dorëzoi çekun e bebes.

“Ju thashë edhe kolegëve këtë muaj keni 40% plus rrogave këtë muaj. Besoj është e konsiderueshme”, tha Rama duke iu drejtuar stafit mjekësor.

Po ashtu, kryeministri inspektoi sallën e reminacionit që është rikonstruktuar dhe pajisur me aparatura të reja.

Nga ana e saj, Manastirliu informoi se janë 34 mijë nëna që kanë përfituar çekun e bebes për këtë vit. Rreth 26 mijë kanë lindur në vend, pjesa tjetër janë regjistruar dhe kanë ardhur për të tërhequr bonusin e bebes.

Manastirliu theksoi se rindërtimi i maternitetit “Mbretëresha Gelardinë” dhe maternitetit “Koço Gliozheni” ka nisur si investim nga salla e lindjeve dhe më pas dhe në sistemin e urgjencave.