December 1, 2022

“Hija që të ndjek sot, nesër do të jetë drita e dikujt tjetër”

Poezi nga Liridon Mulaj

Ti krijesë e bardhë prej qumështi,
që shndrit si shenjtor,
nuk e di se një mollë si ajo që po kafshon,
ta solli vdekjen paradhënie,
dhe kërcin e fytit, që na kujton
se mbas dere rrinë macet
dhe vdekja,
dhe përgjojnë çastin tonë të egër.
Ti djalosh prej dielli,
që krahët shtriq i pashqetësuar
nga e ardhmja plot bluarje kockash,
rrahje të çmendura zemre,
rrudhave që si leshterik të ravijëzojnë
lëkurën,
dhe dhëmbëve prej porcelani,
i vetmi material që dheu nuk e tret,
nuk e di se çfarë të pret,
se çfarë na pret
e krejt mospërfillje prej shenjtori tashmë në amshim,
e mospërfill teorinë se :
-Të jetosh dhe të vdesësh nuk janë e njëjta gjë…!
E se hija që të ndjek sot,
nesër do të jetë drita e dikujt tjetër
që asgje post teje dhe shpirtit nuk pat’ / KultPlus.com