Bajrami: Ligji për letërnjoftime do të miratohet

igji për letërnjoftimi, ashtu siç është propozuar nga Lëvizja BESA, do të miratohet. Kështu siguron për gazetën KOHA, deputeti i BESËS, Bastri Bajrami, ndërsa thotë se amendamentet e partisë “E Majta” janë tendencë për bllokim të ligjit, ndërsa shprehet i kënaqur që, përveç shumicës qeveritare, futja e etnisë në letërnjoftime mbështetet edhe nga opozita më e madhe – VMRO-DPMNE.

“Premtimi i Lëvizjes BESA, konkretisht etniteti në letërnjoftimi do të realizohet ashtu siç është paraparë në Ligjin për letërnjoftime të dorëzuar nga deputetë të Lëvizjes BESA dhe të mbështetur edhe nga deputetët shqiptarë të opozitës, të cilët janë firmosur në këtë propozim-ligj. Veç kësaj, përveç mbështetjes nga partitë e koalicionit në qeveri, propozim-ligji ka gjetur mbështetje edhe në grupin parlamentar të VMRO-së. Në ndërkohë, amendamentet e dy deputetëve të partisë ‘E Majta’ nuk janë asgjë tjetër pos tentim i dëshpëruar i tyre që të bllokojnë çdo propozim që vjen nga partitë shqiptare. Megjithatë, ju siguroj se Ligji do të miratohet shpejtë pa ndërhyrje sa i përket propozimit tonë”, thotë për KOHA, deputeti Bajrami. (koha.mk)