December 10, 2022

VMRO-DPMNE kundër ndryshimit të librit të Gjeografisë ku ofendohen shqiptarët

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE nëpërmjet një kumtese i bën thirrje kryeministrit Zoran Zaev dhe ministres së Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska që menjëherë të ndalojnë ndryshimin e librit të Gjeografisë, në të cilin në disa pjesë ofendohen shqiptarët, njofton Portalb.mk.

“Kryeministri Zoran Zaev me paralajmërimin për ndryshim të librave të gjeografisë po bën kokë më vete shkelje të historisë së këtij vendi, edhe pse i ka premtuar popullit maqedonas se asgjë nuk do të ndryshojë. A është kjo edhe një tentativë për fshirjen e veçantisë së kulturës maqedonase? Në këtë shtet ekziston Institut për Histori, kuadër shkencor, ekzistojnë me mijëra punime shkencore, Arkiv shtetëror ku me fakte dëshmohet ekzistimi i këtij popullit. Lexoni të paktën një faqe nga tonelata e faqeve të panumërta që janë shkruar në këtë temë, që gjërat t’i keni më të qarta”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Partia opozitare, akuzon pushtetin se po mundohet ta ndryshojë historinë nëpërmjet ndryshimit të disa pjesë të librit të gjeografisë. Në fakt, kryeministri dhe pushteti kanë paralajmëruar ndryshim të librit vetëm në pjesët ku ofendohen shqiptarët dhe jo në ndryshimin e historisë.

“Lëshimet që ndër vite që kanë kaluar nëpër shumë libra dhe materiale, njëri prej tyre është mu ai që e thatë në librin e Gjeografisë për vit të dytë për gjimnaz. Me reformat tërësisht do të largohen dhe do të zgjidhen sistematikisht, kështu që deri më tani janë shfuqizuar dhe është dërguar korrigjimi ose ngjashëm, por vetë libri në fushëveprimin e ndryshimit të planeve mësimore dhe përmbajtjeve do të ndryshohen” tha Zaev më 10 shkurt.

Ofendimin e shqiptarëve, në librin e gjeografisë, VMRO-DPMNE, vazhdon të mos e përmend e as të distancohet nga i njëjti. Përkundër kësaj, në vend që kjo parti të dalë në mbështetje të bashkëqytetarëve të cilëve në kohë zgjedhjesh ua kërkon votën, ajo kërkon të mos bëhen këto ndryshime të cilat, sipas tyre po e fshijnë historinë dhe kulturën maqedonase.

Fshirje e historisë maqedonase nuk do të thotë që shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut t’i quash joshqiptarë me prejardhje çerkeze, rome e turke. E as duke i përshkruar shqiptarët si okupatorë, dhunues.

Këto pika do të ndryshohen në librin e gjeografisë, asnjëra prej tyre nuk ka të bëjë me kulturën apo historinë maqedonase. Të shkruarat në këto libra, nxisin urrejtjen ndëretnike dhe bashkëjetesën në këtë vend që vazhdimisht quhet multietnik.

Faqja 99thotë: Shqiptarët kanë qenë maqedonas por në kohën e pushtetit osman janë bërë shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romë dhe turqit.
Në shumë pjesë të librit, përfshirë edhe faqen 104, thuhet se: Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur në periudha të ndryshme kohore, duke nisur nga viti 1780.
Në faqen 104ka pika të përbashkëta me “Serdarot” të Gligor Përliçev ku thuhet se: Shqiptarët kanë migruar në Maqedoni, duke i malltretuar fizikisht, duke i vjedhur, duke i kidnapuar dhe duke i vrarë maqedonasit vendas. Shkruan se për këtë shqiptarët i ka ndihmuar qeveria turke.
Në faqen 103: Shqipëria shfaqet si okupatore e Maqedonisë Perëndimore.
Në faqen 105: Kosova nuk korrespondon si shtet me të cilin kufizohet Maqedonia.
Në faqen 84 dhe 85në pjesën e definimit të Maqedonisë antike dhe të sotme, figurativisht dhjetëra herë “lind” dhe “vdes” shteti i Maqedonisë, kjo paraqet pengesë për krijimin e një pasqyre të qartë të historisë së Maqedonisë.
Gabime bëhen edhe me prejardhjen e pakicave, ngaqë aty futen të gjithë të ardhurit, duke krijuar idenë se në Maqedoni nuk ka popull autokton.