Kryeministri Edi Rama ka shprehur pakënaqësi ndaj Bashkimit Europian dhe ndaj koalicionit Covax ku Shqipëria bën pjesë dhe ka paguar për blerjen e 1,4 milionë vaksinave.
Deri më tani në Shqipëri kanë mbërritur mbi 7 mijë vaksina me BionTech, ndërsa pritet të mbërrijnë dhe 500 mijë doza të tjera.Kryeministri Edi Rama edhe ditën e sotme u shpreh se qeveria po punon për sigurimin e vaksinave dhe duke mos nxjerrë emra konkret kompanish apo shtetesh, duke nxjerrë në pah dhe mungesën e vaksinave në treg.
“Po punojmë çdo ditë e natë për të garantuar më shumë doza, më shpejt. Ne kemi arsye të jemi besimplotë që do ja dalim për skenarin e vaksinimit për 14 muaj. Është një ambicie e madhe. Dua t’iu them disave që thonë ‘shkoni e merrini nga Kina, jepni lekët’. Nuk kanë nxjerrë tezga dhe o burra kush shkon t’i marrë. E vërteta është se nuk ka vaksina. Ne jemi besimplotë se do të kemi një qartësi shumë shpejt dhe një bazë të gjerë dozash”, tha Rama nga Air Albania pasi ndoqi nga afër procesin e vaksinimit të personaliteteve.
Po ku do t’i gjejë qeveria këto vaksina, në një kohë që në treg ka mungesë vaksinash dhe janë në pritje që Covax të arrijë? Qeveria kohët e fundit ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë turke, e konkretisht mes dy ministrive të Shëndetësisë. Bëhet fjalë pikërisht për marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet ministres Ogerta Manastirliu dhe Fahrettin Koca, pikërisht në 6 janar në Turqi në prezencë të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Erdogan. Bëhet fjalë për vizitën e bujshme, pasi Rama u prit me shumë nderime nga miku i tij Erdogan.