Diaspora mund të regjistrohet nga sot deri më 21 prill

Shtetasit e Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë vendit nga sot do të mund të shfrytëzojnë aplikacionin e posaçëm në faqen elektronike të Entit Shtetëror të Statistikës për t’u regjistruar.

https://census.stat.gov.mk/

Kjo kategori e qytetarëve, për t’u bërë pjesë e regjistrimit mjafton të kenë numër amë. Të dhënat që japin duhet të jenë të plota dhe të sakta, me qëllim që të pranohen nga sistemi. Enti Shtetëror i Statistikës kohë më parë siguroi që aplikacioni është i sigurt dhe të dhënat personale nuk do të mund të keqpërdoren. Regjistrimi elektronik fillon një muaj përpara regjistrimit në terren dhe do të jetë i hapur nga 1 marsi deri më 21 prill.

Qytetarët që regjistrohen duhet të japin të dhëna të plota për veten e tyre, moshën, shkollimin, profesionin, përkatësinë etnike, fetare, gjuhësore, amvisërinë, banesën dhe pronat e tjera që posedojnë.

Nga 1 prilli, fillon regjistrimi derë më derë brenda territorit të vendit. Regjistruesit do të marrin të dhëna të qytetarëve rezidentë dhe jorezidentë.

Shtetasit që jetojnë jashtë vendit do të mund të regjistrohen edhe nga një i afërm që jeton në vend. Personi që regjistron dikë tjetër duhet të ketë numrin amë të personit që regjistron dhe të njohë mirë karakteristikat e tij dhe të pronës së tij. Si konfirmim për vërtetësinë e të dhënave, personi që regjistron dikë tjetër duhet të japë edhe numrin e tij amë. (Kjo mundësi e dytë e regjistrimit të diasporës vlen nga 1 prilli deri 21 prill, kur të fillojë regjistrimi derë më derë brenda territorit të vendit).

REZIDENTË

– shtetasit që jetojnë në vend më shumë se 12 muaj,

– shtetasit e huaj që jetojnë në vend më shumë se 12 muaj me leje qëndrimi,

– personat që janë me vendbanim të përhershëm në vend por ndodhen përkohësisht ose më pak se 12 muaj jashtë vendit,

– personat me mision shtetëror jashtë vendit,

– refugjatët dhe personat në azil që janë në vend më gjatë se 12 muaj.

JOREZIDENTË

  • shtetasit që jetojnë jashtë vendit më shumë se 12 muaj dhe
  • të huaj që jetojnë në vend më pak se 12 muaj me leje qëndrimi.

Enti Shtetëror i Statistikës ka sqaruar se nuk ekziston rreziku i regjistrimit të dyfishtë të personave që jetojnë jashtë, edhe në mënyrë elektronike, edhe nga një i afërm që jeton në vend. Sistemi do të detektojë regjistrimin e dyfishtë dhe do të pranojë atë që posedon të dhëna më të plota.

Regjistrimi derë më derë do të zgjasë nga 1 prilli deri më 21 prill.

Të dhënat e regjistrimit do të mblidhen në tre kategori:

  • rezidentë
  • jorezidentë
  • numri i përgjithshëm i rezidentëve dhe jorezidentëve.