Kasami takon ambasadorin Gir për grafën etnike në letërnjoftime

Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami takoi ambasadorin e BE-së Dejvid Gir, ku u diskutua mbi aktualitetin politik në vend dhe për kontributin e Lëvizjes BESA në qeveri si dhe procesin e integrimit të vendit në BE. Në takim gjithashtu u fol për mundësinë e implementimit të grafës etnike në letërnjoftime. Kreu i partisë Besa, në këtë takim u shoqërua edhe nga deputeti Kastriot Rexhepi.

“Biseduam edhe për propozim ligjin për grafën etnike në letërnjoftime, ku edhe njëherë shprehëm qëndrimin e Lëvizjes BESA se grafa etnike nuk është pengesë për integrimin e vendit në BE dhe është një vlerë shtesë në shprehjen e përkatësisë etnike që do të kontribon në mirëbesim dhe kultivimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike. Si subjekt politik, në asnjë moment nuk e vendosim në pikëpyetje përkushtimin e vendit drejt BE-së, sepse është opsioni i vetëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Qëndrimi jonë përballë politikave të BE-së mbetët i pa lëkundur dhe miqësia jonë është lidhur ngushtë sepse vetëm nëpërmjet anëtarsimit të vendit në BE, mund t’i përqafojmë vlerat Evropiane”, ka shkruar Kasami në profilin e tij në “facebook”.

Propozim-ligji për implementimin e grafës etnike në letërnjoftime është në procedurë parlamentare.