Ngecin reformat në media, liria e shprehjes nuk trajtohet si prioritet

Maqedonia e Veriut, edhe pse një kandidate për t‘u bërë pjesë e familjes evropiane, lë shumë për të dëshiruar kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes. Reformat në media janë bllokuar në Kuvend për më shumë se dy vjet. Në vitin 2019 Kuvendi i RMV-së votoi për reforma në media, kusht ky i kërkuar nga BE-ja, e megjithatë deri më sot nuk janë bërë hapa konkrete në zbatimin e tyre. Kriteri për reformimin e trupave rregullator të mediave në vend, si zgjedhja e anëtarëve të rinj të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele dhe anëtarëve të rinj të servisit publik, nuk u përmbush asnjëherë në praktikë. Procedura e filluar ka ngecur si pasojë e përplasjeve politike. Nga Shoqata e Gazetarëve në Maqedoni (SHGM) vlerësojnë se reformat në media nuk janë në listën e prioriteteve të politikanëve tanë.

Pengimi i reformave në media vjen si shkak nga mosinteresimi politik, pra mungesa e dëshirës dhe vullnetit për të bërë reformat e nevojshme në sektorin mediatik në proces publik, transparent dhe cilësor. Reformat në media janë thelbësore për proceset e integrimit evropian të vendit, gjë që është theksohet edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian”, shprehen nga SHGM.

Por, në Maqedoninë e Veriut, përveç zbrazëtirave në Ligjin për media, liria e shprehjes dhe punonjësit mediatik përballen edhe me një sërë problemesh tjera, të tilla si: presione, sulme e kërcënime, mosrespektimi i punëtorit nga punëdhënësi dhe rrogat e ulëta. Që nga fillimi i këtij viti SHGM ka regjistruar 14 sulme dhe kërcënime të ashpra ndaj gazetarëve, me theks të veçantë, të femrave.

Sipas statistikave të SHGM, që nga fillimi i këtij viti, ka pasur gjithsej 14 sulme dhe kërcënime të ashpra kundër gazetarëve, nga të cilat më shumë se gjysma janë ndaj grave gazetare. Në krahasim, vitin e kaluar kishte katër incidente të tilla, që do të thotë se këtë vit sulmet dhe kërcënimet janë tre herë më shumë. Në periudhën nga 2017 deri në 2019, SHGM regjistroi gjithsej 27 sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, në 2017 gjithsej 20, në vitin 2018 u regjistruan 3 raste dhe në vitin 2019 gjithsej 4 sulme. Përveç katër sulmeve më serioze ndaj gazetarëve të regjistruar në vitin 2019, kemi vërejtur 24 kërcënime dhe incidente të tjera. Fatkeqësisht, kjo tendencë u përkeqësua në mënyrë dramatike në vitin 20202”, deklarojnë nga SHGM.

Për gazetarin Adrian Kerimi në Maqedoni të Veriut nuk është e vështirë të jesh gazetar, por e vështirë është të bësh gazetarinë. Sipas Adrianit, mbi të gjitha punën e gazetarit tek ne e vështirëson ndryshimi i gjeneratave dhe avancimet teknologjike. Këto dy fenomene i kanë gjetur të papërgatitur realitetin gazetaresk dhe televizionet apo mediat në përgjithësi akoma nuk kanë gjetur harmoninë gjeneratë-teknologji. Jo më pak problem është edhe qasja e gazetarëve, për të cilën Adriani vlerëson se kuadrot e reja të cilët dalin nga universitetet publike e kanë të instaluar sistematikisht ndrojtjen.

Liria e fjalës nuk është e ndaluar në vendin tonë, por është e blerë, për të mos thënë direkt e shitur. Sistemi kaluar (para 7-10 viteve) ka ndaluar fjalën e lirë me presione, kërcënime, shantazhe, ndërsa sistemi i ri ka blerë atë. Kjo edhe pse tingëllon më demokratike, në thelb është më e dëmshme. Fjala bëhet e lirë kur t’i merresh seriozisht. Sistemi injoron gazetarin, që si pasojë injoron interesin publik dhe ky i fundit si produkt merr diçka që nuk është në domenin e interesit tij por në favorin e palëve, njërës ose tjetrës”, shprehet Adrian Kerimi.

Kur është në pyetje objektiviteti Adriani thotë se “për të qenë objektiv duhesh të jesh i sigurt, e siguria buron nga guximi”.

“Parimisht objektiviteti funksionon. Personalisht objektivitetin si parim e shoh edhe të njëanshëm. E vërteta është një dhe nuk ka nevojë për palë të dytë. Për të qenë objektiv duhesh të jesh i sigurt, e siguria buron nga guximi. Nuk e dalloj dot objektivitetin nga neutraliteti. Kur je objektiv je edhe neutral dhe anasjelltas. Problemet që më shpesh një gazetar i has gjatë raportimit ku ka për qëllim objektivitetin apo neutralitetin është mos besimi në vete dhe mos besimi i autoritetit (punëdhënësit) ndaj tij. Këtë e ngarkon edhe botëkuptimi negativ i palëve të interesit në informacion, ndërsa përfundimisht e rëndon mungesa e informacionit për çështje. Institucionet e mbyllura hermetikisht, mungesa e burimeve, mos respektimi i gjendjes emocionale të palëve dhe mbi gjitha hedhja vrer ndaj fajtorit duke e mbrojtur viktimën padrejtësisht (pasi gazetari nuk guxon të bën avokatin) janë problemet reale, të përditshme, vështirë të kalueshme dhe çdo ditë e më tepër në rritje”, thekson mes tjerash Adrian Kerimi.

Në raportin e BE-së vitin e kaluar thuhet se RMV është mesatarisht e përgatitur në fushën e lirisë së shprehjes dhe ka bërë progres të kufizuar gjatë periudhës raportuese.

Përpjekjet vetë-rregulluese duhet të intensifikohen për të siguruar përparimin në standardet profesionale dhe cilësinë e gazetarisë. Është e rëndësishme të sigurohet transparencë më e madhe e reklamimit mediatik nga institucionet shtetërore, partitë politike dhe ndërmarrjet publike. Nevojiten zgjidhje të qëndrueshme për të siguruar pavarësinë e transmetuesit të shërbimit publik, standardet profesionale dhe qëndrueshmërinë financiare. Qëndrueshmëria financiare e mediave të pavarura dhe kushtet e punës së gazetarëve mbeten një sfidë”, thuhet mes tjerash në raport.

“Freedom Hause” e vlerëson Maqedoninë e veriut si vend pjesërisht të lirë, ku aktivistët dhe gazetarët përballen me frikë dhe kërcënime.

Maqedonia vazhdon të luftojë me korrupsionin dhe ndërsa media dhe shoqëria civile marrin pjesë fuqishëm në diskursin publik, gazetarët dhe aktivistët përballen me presion dhe kërcënime”, thuhet në raportimet e Freedom Hause.

Në Listën e vendeve të lira në botë gjatë vitit 2020 Maqedonia e Veriut radhitet në vendin e 63-të. Peizazhin mediatik të Maqedonisë së Veriut “Freedom Hause” e vlerëson si “thellësisht të polarizuar përgjatë linjave politike dhe mediat private shpesh janë të lidhura me interesa politikë ose të biznesit që ndikojnë në përmbajtjen e tyre.”

Në rangimin botëror të vitit 2020, sa i përket Indeksit të shtypit të lirë, vendi jonë listohet në vendin e 92. Maqedonia e Veriut ka lëvizur vetëm tre vende përparim nga viti 2019 kur radhitej në vendin e 95.

Liria e shprehjes është një nga kriteret kyçe që një vend aspirues ndaj BE-së duhet të plotësojë. Sipas metodologjisë së re të zgjerimit, kapitulli për lirinë e shprehjes dhe mediat bën pjesë në grupin e parë, atë të të drejtave fundamentale. Pa shënuar përparimin e nevojshëm në këtë fushë, BE-ja nuk do të lëvizë negociatat në grupet dhe kapitujt e tjerë (kur negociatat të kenë filluar).

Punoi: Shefkije Alasani

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” i implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.