Pas një “pushimi”, deputetët u kthehen nesër seancave maratonë

Deputetët nesër do t’i rikthehen punës me intensitet pasi janë caktuar katër seanca plenare njëra pas tjetrës. Ndër pikat e rendit të ditës në këto seanca janë disa propozim-ligje ose propozim-ndryshime ligjore që prej kohësh kanë hyrë në procedurë parlamentare dhe nuk kanë marrë epilog.

Në mesin e tyre është propozimi i opozitës për formimin e një komisioni të posaçëm shëndetësor në vend të Komisionit për sëmundje ngjitëse, i cili do të merrej me menaxhimin e situatës shëndetësore me pandeminë. Po ashtu, në rend dite është edhe propozimi i kryeparlamentarit Talat Xhaferi për ndryshim të Rregullores në drejtim të krijimit të mundësisë për pjesëmarrje dhe votim “online” në punën e Kuvendit të deputetëve që kanë vendim për izolim. Në njërën ndër seancat është edhe propozimi për ndryshim të ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale si dhe ligji për shtetësi, procedura për të cilin ka ngecur akoma në komisionin amë parlamentar.

A.B.