Rama nga Brukseli: U lamë mënjanë në shpërndarjen e vaksinave / Varhelyi: Do ta ndihmojmë Ballkanin
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, para autoriteteve në Bruksel, ka shprehur pakënaqësinë për lënien mënjanë të rajonit për shpërndarjen e vaksinës. Ai qëndroi në Bruksel, në kuadër të Këshillit të 11-të Stabilizim Asocimit. Në një konferencë për shtyp, së bashku me Josep Borell, zëvendës president i Komisionit Europian dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, Rama megjithatë tha se është i lumtur që Covax ka nisur t’u japë vendeve dozat e para të vaksinës.
“Ishte një moment tronditës për njerëzit tanë, pasi siç e dini ne nuk jetojmë në kufi me BE, jetojmë brenda por jemi të rrethuar në rajonin tonë nga kufijtë e BE. Njerëzit tanë të cilët e ndjenë që vaksianat nuk ishin diçka që meritonin që ta kishin në të njëjtën kohë me të tjerët. Sot ka 140 vende që nuk kanë nisur asnjë injeksion. Ka 10 vende që kanë 70% të prodhimit, është e vështirë edhe për ne por edhe shumë anëtarë te BE”, deklaroi Rama.
Kryeministri foli edhe për integrimin e vendit në BE, duke thënë se Shqipëria sipas tij i ka përmbushur detyrat për konferencën e parë ndërqeveritare.
“Jam i lumtur të dëgjoj atë çka kemi dëgjuar në rrethana të ndryshme, ndërkohë që theksohet nga ju që Shqipëria ka bërë gjithçka që duhet të bënte për çeljen e konferencën së parë ndërqeveritare. Ne e dimë si shkojnë gjërat, më e rëndësishme për ne është që ne e kemi bërë punën tonë dhe jemi përherë shumë të vëmendshëm të dëgjojmë Komisionin, sepse është mekanizmi më i lartë vlerësues të progresit të një vendit. Unë shpresoj shumë fort që plani për investimin në Ballkan, është një instrument jashtëzakonisht i dobishëm për të forcuar ekonomite dhe bashkëpunim tonë, për ta bërë të ardhmen tonë më të mirë dhe të sigurt, ndërkohë që ecim përpara në procesin e integrimit”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Rama.
Varhelyi tha në fjalën e tij se sfidat për Shqipërinë kanë qenë të shumta, për shkak të pandemisë që ka përfshirë botën por edhe tërmetit që goditi vendin më herët.
“E dimë që së shpejti do ketë zgjedhje parlamentare. Shprehëm shpresën se do jenë të lira e të ndershme, do kemi provën e parë të funksionimit të demokracisë shqiptare. Inkurajuam Shqipërinë të mos ndalojnë së punuari edhe gjatë fushatës, sepse rezultatet janë të rëndësishme për të bindur shtetet anëtare për të çelur negociatat”, deklaroi eurokomisari.
Varhelyi u ka kthyer një përgjigje kritikave të kryeministrit Edi Rama se Shqipëria u la në harresë nga BE-së sa i përket vaksinave anti-COVID.
“Kemi diskutuar edhe për krizën e pandemisë. Kemi sjell mbështetje në Ballkanin Perëndimor. Mendoj se është kontributi ynë për rimëkëmbjen. Natyrisht sot ne nuk flasim më për maskat por kryefjala është vaksina. Shtetet anëtare kanë probleme për të marrë vaksinën. Ne po punojmë shumë që të arrijmë t’i marrim këto vaksine dhe t’i çojmë në këto rajone. Do të ketë një shpërndarje të parë nga Covax në Shqipëri”, deklaroi Varhelyi.
A.B.