RIKTHEHET DIALOGU “ZHAN MONE”

Përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvend u mblodhën përsëri sot për të vazhduar të ashtuquajturin dialog “Zhan Mone”. Diskutimet kanë të bëjnë me rishikimin e mundshëm të Rregullores së Kuvendit. Shumica parlamentare ka deklaruar se do të kërkojë alternativa për të pamundësuar bllokimin e Kuvendit dhe për një funksionalitet më të lartë të ligjvënësit. Pjesë e diskutimeve mes partive, edhe në fazat tjera të dialogut, ka qenë kohëzgjatja dhe definimi i seancës konstituive, procedura e amendamenteve, roli i opozitës, etj. Disa detaje kohë më parë në intervistë për MIA dha edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi.

“Ne tashmë kemi harmonizuar disa dispozitat nga mandati i mëparshëm. Tani për ato të rejat. Për shembull, një seancë konstituive të ketë një rrjedhë, fillim dhe mbarim. Të mos hapet mundësia që seanca konstituive të zgjasë me ditë. Të përcaktohet, për shembull, saktësisht kur do të konsiderohet se Kuvendi është konstituuar, në mënyrë që të fillojnë të rrjedhin afatet konkretisht pas asaj që del për institucionet tjera, zbatimi i afateve dhe rrjedha e punës pas atyre afateve. Ka një sërë çështjesh”, kishte deklaruarTalat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Këtë herë, si pasojë e situatës me virusin korona, dialogu “Zhan Mone” do të vazhdojë pa ndërmjetësimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Në të kaluarën, pjesë e dialogut ishin eurodeputetët por dialogu ishte ndërprerë si pasojë e pandemisë.

A.B.