Sela në takim me ambasadorin e Holandës, kërkon mision rishqyrtimi për rastet e montuara politike

Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, në takim me ambasadorin holandez në Shkup, z. Dirk Jan Kop, e informoi atë në lidhje me iniciativën e koalicionit Aleancë për Shqiptarët dhe Alternativa për të kërkuar mision evropian për rishqyrtim të rasteve të montuara politike dhe të korrupsionit të nivelit të lartë në Maqedoninë e Veriut.

“Ambasadorit i dorëzova kërkesë zyrtare drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës z. Stef Blok, për të mobilizuar urgjentisht një iniciativë gjithëpërfshirëse evropiane për shtetin e së drejtës, përfshirë riaktivizimin e Grupit Priebe, një misioni këshillues për shtetin e së drejtës me një mandat të qartë të përqendruar në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe rastet e montuara politike, misione “peer revieë” për monitorim të reformave në gjyqësor dhe monitorim të proceseve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, shkruan Sela.

Në profilin e tij në “facebook” Sela sqaron:

“Në këtë takim me Z. Kop, bashkëbiseduam edhe për nivelin e lartë të korrupsionit në vendin tonë, gjë të cilën e konfirmojnë vazhdimisht raportet ndërkombëtare si ai i Transparency International më 28 janar të këtij viti. Me Ambasadorin, bashkëbiseduam gjithashtu për përmbajtjen skandaloze të teksteve shkollore dhe nevojën urgjente për ndryshim e tyre, si dhe iniciativën e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës mbi ndryshimin e Ligjit për Shtetësi”, theksoi Sela.

A.B.