Përvjetori i Besëlidhjes, Kurti dhe Sela përcjellin mesazhe nga Lezha

577 vjetori i Besëlidhjes së Lezhës ka mbledhur në këtë qytet politikanë nga të gjitha trevat shqipfolëse të cilët janë përulur para flamurit kombëtar dhe vendosur buqeta me lule pranë obeliskut.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti nga vendvarrimi i Skënderbeut ka dhënë mesazhin e bashkimit të popullit shqiptar.

“Duhet të ndjekim pishtarin që është mbajtur përgjatë historisë nga brezi në brez që populli shqiptar të faktorizohet dhe politikanët duhet të kthehen në qytetin e Besëlidhjes”, është shprehur Kurti.

Të gjithë përfaqësuesit e trevave shqipfolëse vendosën theksin tek bashkimi, simboli i kësaj dite.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, nga Lezha foli për rëndësinë e kësaj dite.

“Kjo ditë është kaq e rëndësishme sepse në qoftë se periudhën për të cilën flasim ishte periudha e lavdisë së shqiptarëve, lavdi të cilën e ndërtoi me shumë mund e sakrificë, Skënderbeu, Gjergji ynë i dashur, Kuvendi i Lezhës është mesazhi që u la shqiptarëve për të ardhmen. Ishte ky Kuvend, ai i cili e ndërtoi edhe Lidhjen e Prizrenit dhe ishte Lidhja e Prizrenit, që hodhi gurthemelin dhe idetë themelore të një shteti shqiptar të mëvetësishëm. Kështu ndodh çdoherë në histori. Të mëdhenj janë ato njerëz që japin ideja të cilat janë akoma më të mëdha se sa vetë ata. Besëlidhja e Lezhës është këtu, Lidhja e Prizrenit është gjallë, asht siç duhet të jetë edhe ideja të cilën e transmetuan të gjithë këta burra e gra të mëdhenj shqiptarë e që ne duhet ta transmetojmë tek gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve”, deklaroi Sela.

A.B.