Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave nënshkroi memorandume bashkëpunimi me përfaqësuesit e katër fakulteteve nga tre universitete në vend.
Ministri i Bujqësisë Arjanit Hoxha, njofton se në këtë ngjarje, ku të pranishëm ishin rektorë, dekanë dhe profesorë nga disa universitete në vendin tonë, u shënua fillimi i bashkëpunimit i cili e vendos Fakultetin e Bujqësisë në UT në vijë të barabartë me Fakultetet e Bujqësisë në Shkup dhe në Manastir.
“Përmes Programit të Zhvillimit Rural, është siguruar një buxhet prej rreth 600,000 eurosh, fonde këto me të cilat Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do të mbështesë drejtpërdrejt institucionet shkencore në zgjerimin e aktiviteteve të tyre, e që kanë interes të përbashkët. Nënshkruesit e memorandumeve të bashkëpunimit do të marrin mbështetje financiare e cila do të ketë për qëllim: furnizimin me pajisje laboratorike për sigurinë ushqimore, furnizimin me pajisje për zbulimin e pranisë së metaleve të rënda në ushqim, si dhe furnizimin me pajisje demonstruese për studentët e shkencave bujqësore”, njofton ministri Arjanit Hoxha.
A.B.