Sela i kërkon BE-së mision ndërkombëtar për shtetin e së drejtës

Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela kërkon nga komisioneri i BE-së për zgjerim Oliver Varhejli formimin e misionit ndërkombëtar në vend për vendosjen e shtetit të së drejtës. Kërkesën e bëri përmes ambasadorit të BE-së Dejvid Gir.

“Ambasadorit i dorëzova kërkesë zyrtare drejtuar Komisarit për fqinjësi dhe zgjerim te Komisionit Europian z.Oliver Verhelyi për të mobilizuar urgjentisht një iniciativë gjithëpërfshirëse evropiane për shtetin e së drejtës, përfshirë riaktivizimin e Grupit Priebe, një mision këshillues për shtetin e së drejtës me një mandat të qartë të përqëndruar në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe rastet e montuara politike, misione “peer review” për monitorim të reformave në gjyqësor dhe monitorim të proceseve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, shkruan kreu i ASH-së, Sela.

Në këtë takim, me Z. Geer, siç shkruan Sela, ka bashkëbiseduar edhe për nivelin e lartë të korrupsionit në vendin tonë, gjë të cilën e konfirmojnë vazhdimisht raportet ndërkombëtare si ai i Transparency International më 28 janar të këtij viti.

“Me Ambasadorin, bashkëbiseduam gjithashtu për përmbajtjen skandaloze të teksteve shkollore dhe nevojën urgjente për ndryshimin e tyre, si dhe iniciativën e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës mbi ndryshimin e Ligjit për shtetësi”, shton Sela.

  • A.B.