Shoferi hero shpëton foshnjën që ra nga ballkoni i katit 12 në Vietnam

Një shofer shpërndarjesh u quajt “super-hero” në kryeqytetin vietnamez Hanoi, pasi shpëtoi një dyvjeçare që ra nga një ballkon i katit 12.

31-vjeçari Nguyen Ngoc Manh, ishte ulur në makinën e tij teksa priste dërgesën e radhës, kur dëgjoi të qarat e fëmijës, tha ai pas ngjarjes për rrjetin vendas Anninhthudo. Një grua nisi të bërtasë dhe ai nxori kokën jashtë për të parë çfarë po ndodhte. “Pashë vajzën e vogël që u zvarrit jashtë ballkonit,” tha ai, duke shtuar se menjëherë ishte ngjitur mbi një ndërtesë për t’u afruar në rast se fëmija binte. “U ngjita në një çati dy metra të lartë duke u pozicionuar për të kapur vajzën”. Nguyen hipi mbi ndërtesën ku mbaheshin gjeneratorë, dhe tha se humbi ekuilibrin kur fëmija ra, por u lëshua përpara për ta kapur dhe gjatë përplasjes të dy bënë një vrimë në çatinë e llamarinës. “U përpoqa të zgjas duart për ta kapur, duke shpresuar që të paktën ta ndaloja të binte direkt përtokë”. Në pamje të incidentit, të marra nga apartamentet përballë shihet fëmija që del pranë ballkonit, ndërsa fqinjët tmerrohen. “Për fat bebja ra në prehrin tim. E përqafova por më pas pashë gjak që i rridhte nga goja. Isha shumë e trembur”, tha Manh. Fëmija u dërgua në spital dhe mediat vendase thanë se kishte pësuar zhvendosje të legenit, por jo pla*gë të tjera. Doktori Le Ngoc Duy, tha se bebja u vendos në allci dhe po monitorohet.

Burimi: Top Channel

A.B.