Kreu i Vetëvendosjes insiston sërish te referendumi për bashkimin kombëtar. Ndërsa prezantoi kandidatin për deputet të VV-së në Gjirokastër për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, Albin Kurti, tha se Kushtetuta e Kosovës e pamundëson bashkimin me Shqipërinë.
“Ne e kemi pengesë Kushtetutën e Republikës së Kosovës por nuk është një pengesë e patejkalueshme. Neni 1.3 dhe neni 1.1 nuk janë në përputhje. Mirëpo me punë dhe angazhim, me vullnet politik dhe me dëshirën e popullit edhe duhet ta sjellim ligjin për referendum dhe një ditë edhe të ndryshojmë Kushtetutën e Republikës. Kosova dhe Shqipëria si dy shtete të të njëjtit komb të mund të integrohen dhe të bashkohen.” Shtoi Kurti.
Në Gjirokastër për Vetëvendosjen garon Kreshnik Merxhani.
“Tre kandidatë të pavarur, kandidatë të zgjedhësve të cilët ne i mbështesim, Kreshnik Merxhani në Gjirokastër, Boiken Abazi në Tiranë dhe Iljaz Shehu në Lezhë. Këta janë të pavarur dhe ne i duam për deputetë të Kuvendit të Shqipërisë që të përfaqësojnë qytetarët dhe të angazhohen për përparimin e të gjthëve sepse Shqipëria ka nevojë për zhvillim që sjell punësim dhe për drejtësi që nuk lejon korrupsion”, sqaron kreu i Vetwvendosjes.
Merxhani dhe Kurti më herët vendosën kurora me lule në shtatoren e Çerçiz Topullit.
A.B.