Kullat e Jasharëve në gjendje të rëndë edhe pas 23 vjetëve nga Epopeja e UÇK-së

Edhe këtë vit, në shënimin e 23 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “dora” e shtetit po mungon në ruajtjen dhe konservimin e kullave të Jasharëve që të mos shemben.

23 vjet nga beteja dhe sakrifica e lavdishme e komandantit legjendar Adem Jashari, qytetarët shprehën të mllefosur me institucionet për neglizhencën që u kanë bërë kullave të Jasharëve. Ndërsa përgjegjësitë nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale nuk pranuan të flasin.

Faruk Rexha, nga Komuna e Vitisë nw vizitë për të nderuar familjen Jashari thotë për KosovaPress se gjendja e mjerueshme e kullave është për shkak të neglizhencës së institucioneve.

“Institucionet është dashur të merren me këtë. Fatkeqësisht nuk kanë punuar mjaftueshëm deri tani. Është dashur të punohet më shumë sidomos në monumentet historike që duhet të riparohen, është për brezat e ardhshme. Pasi gjendja është e mjerueshme krejt faji është tek institucionet”, thotë ai.

Lidhur me këtë gjendje, ciceroni i cili është angazhuar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale nuk pranoi të flas.

Konservimi i kullave të Jasharëve ishte planifikuar të niste në vitin 2019 përmes një vendimi qeveritar. Ndërsa në vitin 2018 kishte miratuar Ligjin për Kompleksin Adem Jashari.

Burimi: KosovaPress

A.B.