Shoqatat civile kërkojnë një hetim të plotë dhe të shpejtë mbi lëshimet institucionale në lidhje me lëshimet e autoriteteve ndjekëse të ish-drejtorit të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov. Sipas tyre, është nevojshme që menjëherë të përcaktohet përgjegjësia nga autoritetet për ngjarjet që i paraprinë dënimit.
“Ne besojmë se kjo arratisje ndodhi pikërisht për shkak të mungesës së përgjigjes së duhur ndaj mangësive dhe pasaktësisë së institucioneve, gjë që mundësoi arratisjen nga vendi të Nikolla Gruevskit, i cili u dënua me dy vjet burg me një vendim përfundimtar në çështjen e njohur si “Tanku”. Hetimi dhe përgjegjësia janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, për shkak të mangësive të dukshme të sistemit të drejtësisë penale në Maqedoni. Informacioni i marrë në lidhje me ping-pongun institucional dhe korrespondencën e panevojshme nga momenti kur u morën indikacionet për arratisjen e të pandehurit Mijallkov, deri në momentin kur ai humbi, konfirmojnë mungesën e kujdesit të autoriteteve kompetente në luftën kundër krimit”, shkruan në reagimin e OJQ-ve.
OJQ-të insistojnë për hetime që do të përcaktojnë përgjegjësinë për lëshimet në veprimet e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.
“Ne kërkojmë që të sanksionohen të gjithë drejtuesit dhe zyrtarët të cilët nuk vepruan në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore, gjë me të cilën ndihmuan të pandehurin Mijallkov të bëhet i paarritshëm nga autoritetet. Të gjitha pretendimet kontradiktore, deklaratat në media, e gjithë sjellja dhe veprimet e Prokurorisë për Krim të Organizuar, hedhin njollë në paanësinë dhe ekspertizën e kësaj prokuroria, prandaj ne kërkojmë nga Këshilli i Prokurorëve të zbatojë procedura për përcaktimin e përgjegjësisë për lëshimet”, theksojnë OJQ-të.
Komunikata është e përbashkët nga Komiteti i Helsinkit, Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” dhe Fondacioni Shoqëri e Hapur.
A.B.