December 5, 2022

VMRO-DPMNE-ja bllokon pr/ligjin për shtetësi, Sela i akuzon për sjellje antinjerëzore

Me mbi 500 amendamente të dorëzuara, VMRO DPMNE-ja ka bllokuar propozim ligjin për shtetësi të dorëzuar nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Kreu i Aleancës Ziadin Sela tha se ky veprim i VMRO-së është jonjerëzor. Akuzoi partinë e Mickovskit dhe LSDM-në se sillen në mënyrë antinjerëzore. Sela paralajmëroi se që nga ky moment, në mënyrë të njëjtë, përmes mijëra amendamenteve, do të bllokojnë çdo ligj në Kuvend.

“Ne nuk do të rrimë duarkryq me këto punë. Koalicioni ASH dhe AAA do ti përgjigjet me të njëjtën monedhë. Nga ky moment ne paralajmërojmë, çdo ligj që vjen në parlament, pa marrë parasysh me çka ka të bëjë, ne do të sillemi njësoj me mijëra amendamente, derisa nuk hiqen amendamentet që e bllokojnë ligjin që ka të bëjë me të qënurit njeri. Ligjin i cili ka për qëllim që tu kthejë dinjitetin këtyre njerëzve të nëpërkëmbur nga 30 vite”, tha Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-së Micevski tha se është e papranueshme që të tolerojnë të sillet ligj, i cili do të mundësojë marrjen e nënshtetësisë me tre dëshmitarë.

“Zvogëlohet afati i marrjes së nënshtetësisë nga 8 në 4 vite, plotësisht kushti që një shtetas i caktuar i huaj i cili ka banuar para 8 shtatorit të vitit ’91 në Maqedoni të marrë deklaratë nga tre dëshmitarë, po ashtu është unë tepër jo serioze. Po ashtu ky ligj përplaset me konventën evropiane për shtetësi dhe arsyeja pse i dorëzuam këto amendamente është të përmirësohet teksti i ligjit”, theksoi Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

Burimi: Alsat

A.B.