Osmani: Prekazi ikona e lirisë, sakrifica dhe trimëria e familjes Jasahari do të shërbejë si frymëzim për brezat të tërë

Në ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani në shoqërim edhe të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bënë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.

Presidentja në detyrë, Osmani pas homazheve u shpreh se Prekazi bëri bashkë një komb të tërë rreth kauzës për çlirim dhe se ai vend është ikona e lirisë dhe simboli i sakrificës më sublime të komandanti legjendar Adem Jashari.

Ajo theksoi se kemi borxh që kujtesën historike dhe sulmin e në familjen Jashari të bartim brez pas brezi në mënyrë që të kujtohet sa i lartë ishte çmimi që pagoi populli shqiptarë për lirin e vendit.

“E kemi borxh jo vetëm ne që kemi shumë të freskët kujtesën e 5,6,7 dhe 8 marsit por e kemi borxh që kujtesën historike dhe mbi të gjitha ndjenjën e mirënjohës së thellë ta bartim brez pas brezit në mënyrë që edhe fëmijët tanë por edhe fëmijët e fëmijëve tanë ta kujtojnë se sa i lartë ishte çmimi që pagoi populli shqiptarë që sot ta kemi shtetin tonë dhe sot ta gëzojmë lirinë tonë. Prandaj përjetësisht mirënjohës për këtë sakrificë dhe trimëri që treguan familja Jashari e që do të shërbejë si frymëzim për brezat të tërë që do të vijnë pas nesh.”

A.B.