Qeveria Kurti 2 pritet të betohet deri në fund të marsit, Haxhiu: Po diskutohen emrat e ministrave

Qeveria Kurti 2 pritet që të betohet para deputetëve të Kuvendit të Kosovës deri në fund të këtij muaji. Lëvizja Vetëvendosje, që e vetme siguroi 58 mandate, ka nisur komunikimet me subjektet e komuniteteve pakicë joserbe për të siguruar 61 votat e nevojshme, ndonëse dy deputetë tashmë kanë shprehur publikisht gatishmërinë për të votuar qeverinë e re.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një intervistë për KosovaPress, beson se presidentja në detyrë Vjosa Osmani nuk do të humbasë kohë dhe do të thërrasë seancën e parë të legjislaturës së tetë e gjithashtu do të caktojë mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të LVV-së, që në këtë rast do të jetë Albin Kurti.

Haxhiu tha se situata me pandeminë por edhe zgjedhja e presidentit janë arsye që institucionet të formohen sa më shpejtë.

“Unë nuk besoj që do i konsumoj të gjitha këto 30 ditë (afate ligjore), besoj që presidentja apo ushtruesja e detyrës, Vjosa Osmani do e thërras seancën më shpejt duke pasur parasysh rëndësinë për t’u krijuar institucionet legjitime që kanë dal nga votat e qytetarëve, e pastaj që padyshim besoj që aty afër do formohet edhe qeveria e re që është shumë e rëndësishme edhe për shkak të pandemisë që po përballemi por jo vetëm. Unë besoj që nëse gjithçka shkon kështu siç aktualisht po shkon, fundi i marsit padyshim që do na zë me qeveri të re, dhe pastaj me duhet të bëhemi gati që ta zgjedhim edhe presidentin e ri për faktin se aktualisht jemi me ushtruese detyrës dhe ditët po shkojnë. Pra, ne jemi si me thënë edhe peng i kësaj sepse ne duhet të veprojmë më shpejt në mënyrë që Kosova të mos mbetet pa zgjedhjen e presidentit të ri”,theksoi Haxhiu.

Burimi: KosovaPress

A.B.