Ministria e Brendshme do të iniciojë formimin e një njësie speciale për luftimin e dhunës mbi baza gjinore të përbërë nga disa institucione, njoftoi ministri Oliver Spasovski në tribunën e djeshme online të Forumit të Grave të organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsin.
“E dimë që vetëm miratimi i dispozitave të reja ligjore nuk mund ta zgjidhë plotësisht problemin, nevojitet një aktivitet i fortë kompleks i të gjithë aktorëve në këtë zinxhir parandalimi dhe veprimi, nga Ministria e Brendshme, Prokuroria Publike, gjykatat, shërbimet sociale, arsimi, sektori civil, media dhe të gjithë aktorët e tjerë socialë që kanë kompetencë dhe përgjegjësi në këtë fushë. Në këtë kontekst, Ministria e Brendshme po punon në mënyrë aktive në kërkimin e formave të reja të qasjes së përbashkët të partneritetit me sektorin e OJQ-ve dhe qytetarët, veçanërisht vajzat dhe gratë që shpesh janë viktima të formave të tilla tinëzare të degradimit. Për këtë qëllim, Ministria do të propozojë krijimin e një njësie speciale, një Task Forcë speciale për luftimin e dhunës me bazë gjinore, e përbërë nga përfaqësues të disa organeve shtetërore, prokurorisë, strukturave të gjykatës dhe policisë si dhe përfaqësues të sektorit civil, i cili do të jetë një lloj lidhje për reagim të shpejtë, sanksionim dhe parandalim të këtyre fenomeneve”, tha Spasovski.
Burimi: Portalb
A.B.