Zëvendëskryeministri Artan Grubi e konsideron vendim personal dorëheqjen e Izet Mexhitit nga roli i koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së.
“Asaj deklarate të cilën e dha z. Ali Ahmeti pas asaj mbledhje unë s’kam asgjë çfarë t’i shtoj. Vendimi i shokut, mikut, kolegut, bashkëpartiakut Izet Mexhiti është vendim personal dhe unë e respektoj. Program Qeveritar është konfirmuar me votë nga po këta deputetë në Kuvend kur është zgjedhur edhe Qeveria. Qeveria është zgjedhur me Program Qeveritar i cili ka marrë përkrahjen e po këtyre 62 deputetëve dhe ripërkrahjen në votimin për mocionin e besimit.”
Në pyetjen, a ka kapacitet Mexhiti ta zëvendësojë Ahmetin si kryetar i BDI-së, Grubi përgjigjet:
“Unë mendoj që ka. Besoj që z. Mexhiti ka dhënë kontribut. Është një veteran në politikë, siç e tha edhe dje. 20 vite ka kontribut në këtë shoqëri në radhët e BDI-së. unë mendoj personalisht se askush prej nesh nuk mundet ta zëvendësojë Ali Ahmetin sepse ai nuk është kryetar partie, është një lider i një shoqërie, është një personalitet i jashtëzakonshëm i historikut shqiptar.”
Një ditë më parë, Mexhiti dha dorëheqje nga pozita e koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së.
A.B.