Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi sot realizoi takim me kreun e BFI-së Shaqir Fetahi me të cilin diskutoi për situatën me virusin, për regjistrimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
“Kjo është vizita ime e parë këtu pas zgjedhjes së kryetarit të ri. E falënderoj dhe e përgëzoj për stabilizimin e bashkësisë fetare, për përafërimin e BFI-së ndaj besimtarëve si dhe institucioneve të shtetit si dhe për rolin shembullor që e kanë dhënë në luftën kundër pandemisë të Kovid 19 për arsye se të gjitha predikimet nëpër xhamitë tona, të gjitha praktikimet kanë shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në asnjë moment nuk është rrezikuar shëndeti publik i qytetarëve dhe i besimtarëve” deklaroi zëvendëskryeministëri Artan Grubi.
Kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahi, foli për rëndësinë e regjistrimit të popullsisë dhe angazhimin e BFI-së në këtë aspekt.
“Tashmë ne kemi informuar të gjitha unionet në diasporë duke filluar nga Zvicra, Gjermania, Italia dhe SHBA-të, kanë marrë detyrimet e tyre, obligimet e tyre, janë në kontakt të pandërprerë me qendrat islamike. Ne tashmë fillojmë fazën e dytë të obligimit tonë dhe përgatitemi të vizitojmë diasporën me delegacione të ndryshme për të ngritur vetëdijen e bashkatdhetarëve tanë se çështja e regjistrimit është një çështje vitale për shoqërinë ku ne jetojmë dhe veçanërisht për ne që i takojmë këtij kombi dhe këtij besimi”, deklaroi kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahi.
A.B.