December 10, 2022

Mexhiti: Grubi nuk ka kaluar mirë në popull, unë nuk synoj të bëhem kryetar

Vazhdojnë reagimet e anëtarit të kryesisë së BDI-së Izet Mexhiti, me kritika për punën e ekzekutivit dhe organizimin e brendshëm të partisë. Sipas tij, ndarja e përgjegjësive dhe posteve, brenda partisë më të madhe shqiptare në pushtet nuk bëhet në bazë të meritave për votat që anëtarët sigurojnë. Mexhiti (për Alsat) drejton gishtin me akuza të rënda ndaj bashkëpartiakut Artan Grubi, i cili sipas tij, merr përsipër më shumë se ka kapacitet.

“Ai për momentin ushtron postin e sekretarit organizativ në organizatën që nuk e njeh mirë. Me dorëheqjen e Atilla Rexhepit ushtron jozyrtarisht edhe postin e sekretarit gjeneral, edhe të shefit të kabinetit, edhe të zv/kryeministrit të parë, edhe kontrollon mediat për vetëpromovim dhe për të sulmuar bashkëpartiakët që mendojnë ndryshe, ai merret me forumin e gruas, me forumin rinor, ai merret me çështjet kadrovike. Në popull nuk ka kaluar mirë në 2016-ën dhe në zgjedhjet tjera, në strukturat partiake në këshill vendor i ka humbur zgjedhjet, në këshill të partisë nuk është i zgjedhur”, tha Izet Mexhiti, BDI.  

Reagimet e kohëve të fundit, sipas Mexhitit, nuk janë luftë as për post në ekzekutiv dhe as për pasardhës të kryetarit të partisë Ali Ahmeti. Madje, kjo e fundit, thotë Mexhiti, është teori e shpikur nga Grubi. Mexhiti paralajmëron që nuk do të përkrahë të gjitha nismat e pushtetit në Kuvend sepse tashmë përfaqëson një zë ndryshe.

“Përfaqësoj një mendim ndryshe gjatë kësaj periudhe brenda BDI-së, me vërejtjet e mija ndaj këtij ekzekutivi. Prej pozicionit të deputetit do të jem pak më i lirë për të mbrojtur qëndrimet e mia, më lirshëm dhe pa hamendje se mund t’i ndikoj deputetët e tjerë apo t’i vendos në siklet”, tha Izet Mexhiti, BDI.

Burimi: Alsat

A.B.